Ish-mesfushori i Juventusit, Sami Khedira zbuloi se trajneri i ri i Romës, Jose Mourinho ishte gjëja më e mirë që i kishte ndodhur atij. Ish-reprezentuesi i Gjermanisë është pensionuar nga futbolli dhe në intervistë për MARCA tregoi për periudhat e ndryshme të karrierës së tij.
34-vjeçari u transferua te Hertha Berlin në shkurt të vitit 2021, por vendosi t’i “varë këpucët” pas përfundimit të këtij sezoni. Khedira fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 2014, pas suksesit me Real Madridin në Champions League po atë vit.
Khedira u transferua në Juventus në vitin 2015 dhe fitoi pesë Scudetto para se të largohej nga Italia më herët këtë vit.
“Nuk është një vendim i marrë brenda natës, unë lashë atë që dua më shumë dhe duhet të adaptohem ngadalë. Trupi im nuk ishte më i përgatitur për të vazhduar të luaja në nivelin më të lartë dhe pensionimi doli të ishte zgjidhja më e mirë. Nëse nuk mund të jap gjithçka, është më mirë të largohem. Në këtë moment ndjesitë janë të çuditshme. Nga njëra anë jeni të trishtuar, natyrisht, sepse nuk do të luani më, por nga ana tjetër shikoni atë që keni arritur dhe ndjen shumë lumturi dhe krenari. Kam pasur një karrierë fantastike” – tha Khedira.
Ai gjithashtu foli edhe për trajnerin portugez, Jose Mourinhon, teksa u shpreh se ai ishte gjëja më e mirë që i kishte ndodhur.
“Spanja sapo na kishte eleminuar nga Kupa e Botës në Afrikën e Jugut dhe ne të gjithë ishim shumë të trishtuar. Ajo gjeneratë meritoi një finale. Papritmas, më erdhi një telefonatë: ‘Sami, Reali të dëshiron ty dhe Mourinho do të të telefonojë. Mendova se ishte një shaka. Isha shumë nervoz dhe shqetësimi im kryesor ishte anglishtja ime, sepse nuk flisja në atë kohë. Kështu, Mourinho më telefonoi dhe unë e pyeta nëse mund të flasim me mesazhe. Ai qeshi dhe tha se ishte në rregull. Ai më tha se më donte në Real dhe kjo bisedë ndryshoi karrierën time. Mourinho është gjëja më e mirë që më ka ndodhur”- u shpreh Khedira.