Kica-Xhelili: Dikush t’ia kujtojë ministres Haxhiu se në një shtet demokratik, pushtetet janë të ndara dhe nuk mund ta kontrollojë gjyqësorin

Prishtinë | 28 Mar 2023 | 20:32 | Nga Ekonomia Online

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo nuk ka të drejtë ta komentojë përmbajtjen e vendimeve gjyqësore, e aq më pak, sipas saj, të Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e Haxhiut.

Kica-Xhelili, ka thënë se as Gjykata Kushtetuese e as demokracia në Kosovë nuk janë krijuar falë ministres Haxhiu.

“Por, ajo është ministre e kësaj demokracie parlamentare dhe duhet OSE ta respektoj këtë demokraci, ose të zhvendoset në një shtet autokratik që përkon me ideologjinë e saj. Dhe kur ia kujtoni gjithë këto, ia kujtoni që është Rekomandim i Këshillit të Evropës që kjo ministre NUK GUXON të flas si flet e të veproj si vepron”, ka shkruar Kica-Xheli, më Facebook.

“Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata”, ka thënë tutje deputetja e LDK-së.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërsa reagimi i Haxhiut ishte se Gjykata Kushtetuese është duke e sulmuar Kosovën.

POSTIMI I PLOTË:

Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre në një shtet DEMOKRATIK – ku pushtetet janë të ndara dhe nuk mund ta kontrolloj gjyqësorin (fatmirësisht për demokracinë).

Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre e DREJTËSISË – e jo ministre e vazhdueshme e fushatës linquese. Se sundimi i ligjit që ajo e shndërron në mbiemër personal në fushatë, duhet të jetë mbiemër në zbatim kur drejton institucion.

Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se NUK KA TË DREJTË ta komentoj përmbajtjen e vendimeve gjyqësore e aq më pak Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e SAJ. As kjo Gjykatë e as kjo demokraci nuk janë krijuar falë Ministres Haxhiu, në fakt MË SË PAKU falë mendësisë që kjo shumicë po shpërfaq.

Por, ajo është ministre e kësaj demokracie parlamentare dhe duhet OSE ta respektoj këtë demokraci, ose të zhvendoset në një shtet autokratik që përkon me ideologjinë e saj.

Dhe kur ia kujtoni gjithë këto, ia kujtoni që është Rekomandim i Këshillit të Evropës që kjo ministre NUK GUXON të flas si flet e të veproj si vepron.

Paragrafi 18 i Rekomandimeve të Këshillit të Evropës për pavarësinë e gjyqësorit [CM/Rec(2010)12]:

“Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kritikat që do të minonin pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor (…) përveç deklarimit të qëllimit të tyre për të apeluar/ankimuar.”

Në fund, ua rikujtoj juve dhe ndoshta pak vetes, që i gjithë ky (ri)kujtim karshi saj do të jetë potencialisht i kotë.

Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata.

Të ngjashme