Kica-Xhelili e pyet Kurtin: Shtëpinë ku e ke, familjen, gruan e vajzën? Ku i arsimon? Ku i shëron?

Prishtinë | 11 Maj 2023 | 16:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pyet nëse ka opinion që mbështetësi i tij u zgjodh drejtor në RTK dhe ai u përgjigj se nuk ka asnjë me mbiemër të njëjtë të punësuar në ndonjë ministri në Kosovë.

Kjo deklaratë e Kurtit, sipas deputetes së LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, është ofenduese për qytetarët.

“Seriozisht? A mund ta imagjinoni? A mund ta analizoni si përgjigje? Domethënë, sipas tij, rehatimi i mbështetësve, bashkëpartiakëve, donatorëve të VV, madje edhe përfshirja e tyre në afera potenciale milionëshe në sektorin energjetik dhe jo vetëm, AMNISTOHET, sepse nuk e paskan mbiemrin Kurti”, ka shkruar ajo.

“Shtëpinë ku e ke? Më të rëndësishmen, familjen, gruan e vajzën, ku? Ku i arsimon? Ku i shëron? A ballafaqohet vajza jote në shkollë me bulizimin që fëmijët e politikanëve në Kosovë i kanë duruar deri në vaj depresiv për shkak të diskursit tënd kur ti i shpallje tradhtarë? Varret e gjyshërve e babgjyshërve, dhimbjen e familjarëve të vrarë me mbiemrin tënd, a e ke?”, ka vijuar ajo.

Kica – Xhelili, e akuzoi kryeministrin se po abuzon qëllimshëm me qytetarët e Kosovës.

“Mos, kryeministër! Je mjaftueshëm inteligjent për të kuptuar që po ofendon përtej asaj që e duron kjo shoqëri, që nënkupton se po e bën qëllimshëm. Po abuzon qëllimshëm. Kjo është brutalisht e pafalshme”, tha ajo.

Të ngjashme