Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se është fatkeqësi të flitet për sovranitet të Republikës së Kosovës kur policëve të bllokuar në veri nuk mund t’iu sigurohet higjena.
E ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Kica-Xhelili ka thënë se ndonëse policët në veri të Kosovës po admirohen nga qytarët e Republikës së Kosovës, një admirim i tillë nuk është i shprehur edhe nga vetë ekzekutivi.
“Është fatkeqësi kur ne duhet të flasim për sovranitet të Republikës së Kosovës kur ne nuk jemi në gjendje të sigurojmë as higjienën e policëve tanë dhe është absolutisht e papranueshme, e pafalshme, që pikërisht këta policë që po e gëzojnë besueshmërinë qytetare, pikërisht këta policë te të cilët i kemi të gjithë sytë dhe sikurse e keni parë këto ditë, ka pasur fotografi të panumërta të policëve në veri dhe ke pasur një reaksion euforik të masës fotografi të policëve në veri, një lloj admirimi të punës që ata bëjnë, por si po e shpreh shteti admirimin karshi policëve? Po e shpreh me një bllokim dyjavor të tyre, duke mos i ndërruar as edhe me një rotacion”, ka deklaruar Kica-Xhelili.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte bërë një postim në rrjetin social Facebook, duke treguar se si një nga lokalet e Prishtinës kishte përgatitur ushqim për zyrtarët policorë që po angazhohen në veri. Sipas Kica-Xhelilit, me ose pa dashje, Sveçla ka lënë të kuptojë paaftësinë e institucioneve për t’u marrë me policinë.
“Fatkeqësia më e madhe është se, përderisa nuk kemi kurrfarë strategjie për ta hequr Policinë e Kosovës nga kjo krizë humanitare se tashmë është bërë krizë humanitare ne bëjmë postime sikurse Ministri i Punëve të Brendshme për faktin që qenka bamirësi që dikush i ushqen Policinë e Kosovës. Për që jemi popull i bamirësisë e kemi ditur gjithmonë, por që policia ka mbetur në duart e bamirësisë të qytetarëve të Republikës së Kosovës po e dëgjoj për herë të parë…është absolutisht e papranueshme”, ka deklaruar Kica-Xhelili.
Sipas saj, një mungesë e koordinimit nga ekzekutivi është vërejtur dukshëm me aleatët ndërkombëtarë në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, çështjen në veri dhe ngurimin e KFOR-it për të vepruar atje.
Gjersa pretendon se në veri numërohen 51 policë të izlouar, Kica-Xhelili ka thënë se një gabim nga Qeveria është parë edhe në diskursin që ajo përdor.
“Gabimi fillestar është përdorimi i diskursit që po përdoet nga pozita. E shohim edhe në Kuvend se kur flasim për tematikën e veriut sikur tentojnë të na tregojnë se kush është Serbia sot. Se kush është Serbia e kemi ditur të gjithë, e kemi ditur historikisht kush janë ata dhe është pikërisht arsyeja që e dimë se pse kemi ndërvepruar ngushtë me aleatët ndërkombëtarë… dikush e quan servilitet, por në fakt është diplomaci, nuk është servilitet. Momenti dhe gatishmëria, aftësia e një ekzekutivi që t’i preventojë rastet sikurse bllokimi i 51 policëve është diplomaci, është pikërisht shtrirje e sovranitetit dhe sundimit të ligjit”, ka deklaruar ajo.