Ish-deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka njoftuar se do të rikandidojë për një mandat të ri, kësaj radhe me numrin katër.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka treguar se ky vendim nuk ka qenë i lehtë, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore dhe sfidave të shtatzënisë, të cilat, siç thekson ajo, e bëjnë këtë fushatë më të vështirë se kurrë.
“Konfirmoj rikandidimin tim edhe për këtë mandat. Ky vendim nuk ishte i lehtë, jo për shkak të punës, por për shkak të gjendjes sime shëndetësore dhe sfidave të shtatzënisë, të cilat e bëjnë fushatën më të vështirë se kurrë. Në politikë kam mësuar se vendin ta jep besimi, jo zhurma. Pa zhurmë, ju më renditët njeriun e dytë më të votuar në LDK. Këtë herë kam zgjedhur të garoj me numrin KATËR (4), sepse besoj se vendin tim real ma përcaktoni ju: qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë”, ka shkruar ajo.
Kica-Xhelili theksoi se sfida e saj personale ia ka forcuar bindjen se politika nuk duhet të jetë terren për përçarje, por hapësirë për empati dhe bashkëpunim.
Ajo u zotua se, pavarësisht vështirësive, do të vazhdojë të jetë zë për çështjet që i beson dhe për njerëzit që i kanë dhënë besimin.
“Gjatë muajve të vështirë të shëndetit tim, kam dëgjuar shumëçka: fjalë për mungesën time, interpretime të pasinqerta, madje edhe insinuata që e shndërronin sfidën time njerëzore në arsyetim politik. Kam parë propagandë, linçime, faqe pa emër e pa fytyrë, dhe fatkeqësisht edhe ndonjë rrudhje krahësh nga njerëz që e dinin realitetin tim, por zgjodhën ta përdorin atë për të më portretizuar si të painteresuar. Më kanë kërkuar të reagoj e të sqaroj. Unë kam zgjedhur të hesht, jo nga dobësia, por sepse refuzoj t’u jap hapësirë atyre që ushqehen me helm. Por sot, duke rikandiduar, ua kam borxh të vërtetën atyre që më kanë mbështetur pa kushte: mungesa ime s’ka qenë kurrë mungesë interesi, por betejë personale për shëndetin tim dhe të fëmijës tim”.
“Besoj se politika e vërtetë fillon aty ku mbaron egoja personale. Prandaj hyj në këtë garë me qetësi, me përulësi, dhe me bindjen se energjia jonë duhet të shkojë te armiku i përbashkët: sfidat që e mbajnë vendin peng, jo tek njëri–tjetri. Në këtë betejë, edhe pse fizikisht më larg se herëve të tjera, ju jeni forca që më çon përpara”, përfundoi ish-deputetja.