Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër, me 22 qershor në Bern të Zvicrës organizuan Sesionin informues: “Klima e investimeve në Kosovë”.
Në këtë sesion informues, u njoftuan bizneset pjesëmarrëse të diasporës shqiptare në Zvicër rreth shërbimeve të KIESA-s dhe informatave statistikore të shkëmbimit tregtar dhe investimeve Kosovë – Zvicër.
Gjatë sesionit u bënë prezantime edhe nga përfaqësues të Administratës Tatimore, Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ndërsa Arbër Muhaxheri, Drejtor i Drejtoratit për Promovim të Sektorit Privat në KIESA, para të pranishmëve prezantoi sektorët potencial për investime në Kosovë.
Pas sesionit përfaqësuesit e KIESA-s kanë zhvilluar takime me bizneset pjesëmarrëse ku janë dhënë sqarime rreth fushave të cilave kanë shprehur interesim.