Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në bashkëpunim me projektin e Komisionit Evropian kanë organizuar punëtorinë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gjatë kësaj punëtorie përfaqësuesit e ndërmarrjeve u informuan rreth mënyrave të aplikimit për të përfituar nga ky program, raporton Ekonomia Online.
Programi i financuar nga Bashkimi Evropian do t’u mundësojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të vendit marrjen e asistencës këshillimore në mënyrë që të forcohet aftësia konkurruese dhe eksportit të këtyre ndërmarrjeve.
Remzi Ahmeti udhëheqës i sektorit për promovim të eksportit në MTI, tha se arsyeja e përzgjedhjes së këtyre sektorëve ka qenë për shkak të potencialit të tyre për eksport.
“Ne kemi bërë përzgjedhjen e sektorëve që kanë potencialë për zhvillim dhe prodhim. Në bazë të analizave këto janë sektor që kanë bërë integrimin e rinisë si punëtorë dhe kanë sektorë që kanë potencial për eksport. Kjo punëtori organizohet me qëllim që të identifikohen sfidat dhe mangësitë në këtë sektor dhe të bëjmë përpjekje që të eliminohen këto sfida”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, KE-ja është e interesuar që MSA-ja, e cila jep mundësi për eksport, t’i përgatit këto kompani që në të ardhmen mos të kenë probleme në eksport.
“Ky program ofron mbështetje, duke sjell ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të parë sfidat në këta sektor. Ata në të ardhmen do të dalin me rekomandime se ku duhet të bëhen ndryshime”, tha ai.
Jurgen Mendritzki, udhëheqës i projektit ICEP shpjegoji lidhur me aplikimet e ndërmarrjeve në këto programe.
“Ky është një aktivitet i përbashkët i KIESA-s që kemi një ekip të përzier, ekipi jonë ka dy anëtarë dhe kemi edhe dy mbështetëse teknike. Synimi i programit është të ndihmojë ndërmarrjet prodhuese që të jenë më konkurruese, por jo ato tregtuese. Nuk flasim për grante, por për asistencë që ua jep programi jonë. Ju sigurojmë asistencë praktike shërbime këshillimore te sektorët: përpunimi i metaleve, drurit, plastikës, tekstilit dhe lëkurës”, tha ai.
“Ekspertet do të shkojnë në kompani që do të punojnë për menaxhimin e cilësisë, marketingut, promovim të eksportit, efikasitet të prodhimit logjistikës dhe kontrollit”, shpjegoi ai.
KIESA është duke zhvilluar Programin për Zhvillimin e Ndërmarrjeve për të forcuar aftësinë konkurruese dhe të eksportit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Kosovës në katër sektor: Përpunimi i drurit, Përpunimi i metaleve, përpunimi i plastikës dhe gomës, prodhimi i mallrave të tekstilit dhe lëkurës.
Zbatimi i këtij mundësohet përmes mbështetjes financiare të BE-së.