Kim Kardashian thuhet se është në paqe me ndarjen e saj nga bashkëshorti, Kanye West, dhe aktualisht po i ndjekë e vetme seancat me psikologun, pas dështimit të përpjekjeve të saj për ta shpëtuar martesën me reperin e njohur amerikan.
Çifti shumë i njohur i showbizit u kurorëzua në vitin 2014, dhe së bashku i kanë katër fëmijë, North, Saint, Chicago dhe Psalm.
Sipas revistës “Us Weekly”, Kim do të vazhdojë të fokusohet në bizneset e saj multi milion dollarësh.
Ndërkaq, një burim i afërt me çiftin ka deklaruar se, Kim dhe Kanye, janë duke negociuar vazhdimisht rreth kushteve të shkurorëzimit të tyre.
Kanye tashmë ka filluar të konsultohet me avokatët e tij, dhe pavarësisht spekulimeve se 40-vjeçarja Kardashian po synon të ndahet me Westin në mënyrë shoqërore, disa njerëz besojnë se procesi i shkurorëzimit mes dyshes së famshme mund të bëhet i shëmtuar.
“Asnjëri prej tyre nuk dëshiron të dal humbës në këtë shkurorëzim, dhe që të dy do të luftojnë ashpër për kujdestarinë e fëmijëve. Kim ia ka bërë me dije Kanyes se e dëshiron kujdestarinë e plotë të fëmijëve, dhe nëse ai vendos ta kundërshtoj në këtë aspekt, procesi i shkurorëzimit do të bëhet brutal”, citohet të ketë thënë një burim.
Sidoqoftë, nuk duket sikur Kimi po nxitohet për t’i bërë gjërat zyrtare, duke bërë kërkesë për shkurorëzim në gjykatë. Sipas një raporti të publikuar në “The Sun”, Kardashian po e merr shtruar procesin e ndarjes nga Westi, pasi është mësuar të bëjnë jetë të ndara nga njëri-tjetri.
Kardashian dhe West, aktualisht po jetojnë në shtëpi të ndara, teksa reperi dhe producenti muzikor gjendet në fermën e tij në Wyoming, ndërsa ylli televiziv dhe afaristja e suksesshme po jeton në shtëpinë e çiftit në Los Angeles bashkë me fëmijët e tyre.
Edhe pse deri më tani, Kimi nuk ka folur hapur për ndarjen nga bashkëshorti i saj, disa burime bëjnë të ditur se ajo do t’i shpalosë dhe diskutojë problemet në martesën e saj, në sezonin final të shout televiziv “Keeping Up With The Kardashians”.