Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka thënë se është e domosdoshme që vendi të përmirësojë raportet me shtetet tjera të botës, përcjell agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Diktatori veri-korean në ditën e tretë të Kongresit të Partisë së Punës, foli edhe për Korenë e Jugut, por nuk zbuloi se çfarë hapa do të ndërmarrë në këtë drejtim.
“Orientimi ynë i përgjithshëm dhe pozicioni politik i partisë sonë janë zgjerimi i përgjithshëm dhe zhvillimi i raporteve me jashtë”, tha Kim, njofton KCNA.
Sa i përket ekonomisë, ai pranoi se Koreja e Veriut nuk ka arritur qëllimet që kishte për vitin 2020.
Kim, që mori pushtetin pas vdekjes së babait të tij, Kim Jong-il më 2011, sot mbush 37 vjeç sipas agjencisë Reuters.
Vëzhguesit besojnë se Koreja e Veriut fillimisht do të vë kontakte me Korenë e Jugut lidhur me pajtimin mes dy shteteve të një kombi, e më pas përmes saj, do të jepte sinjale se është e gatshme të negociojë edhe me administratën e re të SHBA-së.