Kina bllokon 400 mijë njerëz afër Pekinit pas rritjes së rasteve me Coronavirus

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Kina ka rikthyer një izolim të rreptë pranë Pekinit, duke prekur rreth 400,000 njerëz, pas një rritje të vogël të numrit të rasteve me Coronavirus.

Kufizimet kanë hyrë në fuqi në qarkun Anxin në provincën Hebei afër kryeqytetit.

Pas shfaqjes së pandemisë në Kinë në fund të vitit të kaluar, vendi ka arritur të menaxhojë infeksionet e reja në një nivel vazhdimisht të ulët.

Për të shmangur një valë të dytë, madje edhe rritja e vogël e numrit të rasteve po merret shumë seriozisht nga autoritetet shëndetësore të vendit.

Çfarë po ndodh në Hebei?

Zyrtarët njoftuan të dielën se Anxin do të “mbyllet plotësisht dhe do të kontrollohet”.

Vetëm punëtorët esencialë lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa vetëm një anëtar i familjes lejohet të dalë një herë në ditë për të bërë blerjet e nevojshme.

Asnjë banor jo-rezident nuk do të lejohet të hyjë në ndërtesat, lagjet apo fshatrat e kësaj zone.

Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët se kushdo që shkel këto rregulla do të ndëshkohet nga policia.

Anxin është rreth 150 km në jug të Pekinit. Mediat kineze kanë raportuar se në këtë zonë janë regjistruar 18 raste që nga fillimi i rritjes së fundit të rasteve në Pekin, dy javë më parë.

Zona nuk është dendësisht e populluar ashtu sikur qendrat e mëdha urbane të Kinës, dhe ekspertët lokalë të shëndetit thanë që ishin optimistë se përhapja e koronavirusit mund të ndalohej, transmeton klankosova.


Të ngjashme