Kina dhe Rusia kundër rezolutës së OKB-së për Ngushticën e Hormuzit

Prishtinë | 07 Pri 2026 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

11 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së votuan pro një rezolute që synonte të hapte Ngushticën e Hormuzit për lundrim të sigurt, ndërsa dy vende, Pakistani dhe Kolumbia, abstenuan.

Megjithatë, Rusia dhe Kina, si dy nga anëtarët e përhershëm të këshillit, përdorën të drejtën e vetos, duke e rrëzuar në thelb rezolutën, raporton BBC.

Versioni fillestar i dokumentit përfshinte nenin 7, i cili do t’u jepte shteteve autorizimin për të përdorur forcën për të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Rusia dhe Kina ishin fuqimisht kundër kësaj, gjë që shkaktoi muaj negociatash dhe ndryshime të gjuhës së dokumentit.

Në fund, versioni që u hodh në votim ishte një dokument që inkurajonte fuqishëm shtetet e interesuara të koordinojnë përpjekjet mbrojtëse për lundrimin e sigurt në Ngushticë, një qasje shumë më ndryshe nga përdorimi i forcës.

Bahreini, që propozoi rezolutën, shpresonte se kjo do të mjaftonte që Rusia dhe Kina të abstenonin dhe ta lejonin kalimin e dokumentit.

Rezultati tregoi një ndarje të thellë në Këshill, me Rusinë dhe Kinën që konfirmuan aleancën e tyre të fortë me Iranin, duke përdorur veton për ta mbrojtur atë. Sipas tyre, rezoluta ishte shumë e ashpër në dënimin e Iranit.

Të ngjashme