Kina e ka caktuar datën për rundin e ri të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë për qëllim përfundimin e luftës tregtare që po i frikëson tregjet botërore dhe po i dëmton bizneset.
Ministria e Tregtisë në Kinë ka njoftuar se përfaqësuesi amerikan për tregti, Jeffrey Gerrish, do të zhvillojë bisedime me zyrtarët kinezë me 7 dhe 8 janar në Pekin. Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këto bisedime. Këto do të jenë bisedimet e para formale mes dy vendeve më të fuqishme ekonomike prej Samitit të Argjentinës, kur të dy presidentët u pajtuan për pezullimin e taksave shtesë.
Në deklaratën e Ministrisë së Tregtisë thuhet se palët në bisedime do të merren vesh për marrëveshjet e rëndësishme që janë arritur në takimin e zhvilluar në Argjentinë. Nëse marrëveshja e re nuk arrihet brenda 90 ditëve, siç është përcaktuar më herët nga presidentët, ekziston mundësia që lufta tregtare të marrë përmasa edhe më të gjera, të cilat do të shkaktonin dëme miliardëshe në ekonominë e dy vendeve, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.