Kina fillon stërvitjet ushtarake pranë ishullit, pas vizitës së Pelosit në Tajvan

Prishtinë | 04 Gus 2022 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Kina ka dërguar 27 aeroplanë luftarakë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit – një tampon i hapësirës ajrore që zakonisht quhet ADIZ – sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, njëzet e dy prej këtyre avionëve kaluan “vijën mesatare” të ngushticës së Tajvanit, një numër i paprecedentë që kur ishulli filloi të publikonte informacione rreth inkursioneve të Kinës në ADIZ-in e tij rreth dy vjet më parë.

Ky hap vjen pasi Kina filloi stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit për të protestuar ndaj vizitës së kësaj jave nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.

Ministria kineze e Mbrojtjes publikoi një hartë të gjashtë zonave përreth ishullit ku planifikon të kryejë stërvitje ajrore dhe detare, si dhe ushtrime me zjarr të drejtpërdrejtë.

Anijet dhe aeroplanët janë paralajmëruar të qëndrojnë jashtë zonave gjatë stërvitjeve.

Zonat e stërvitjes të shpallura nga Pekini shtrihen mirë në ADIZ të Tajvanit dhe në disa raste cenojnë hapësirën ajrore territoriale të ishullit, një zonë e njohur nga ligji ndërkombëtar se shtrihet 12 milje detare (22.2 kilometra) nga bregu, shkruan CNN.

Dhe analistët thonë se ky është një veprim jashtëzakonisht provokues.

Carl Schuster, një ish kapiten i marinës amerikane dhe ish-drejtor i operacioneve në Qendrën e Përbashkët të Inteligjencës të Komandës së Paqësorit të SHBA-së, tha se Kina po shkon “shumë më larg se kurrë më parë” në vendosjen e aseteve të saj ushtarake pranë brigjeve të Tajvanit.

Kërcënimet e Pekinit kanë nxitur shumë diskutime mbi atë se çfarë saktësisht përbën hapësirën ajrore të Tajvanit dhe nëse ajo njihet nga ligji ndërkombëtar.

Të ngjashme