Ministria e Jashtme e Kinës të enjten mohoi se nga diplomatët amerikanë është kërkuar që të marrin mostra nga zorra e trashë për ta bërë testin për Covid-19, pas raportimeve të medieve se disa diplomatë kanë ankuar për këtë procedurë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha: “Sipas dijenisë sime, Kina kurrë nuk ka kërkuar nga stafi diplomatik i ShBA-së në Kinë që të bëjnë test përmes zorrës së trashë.”
Uashingtoni u ankua se kjo procedurë është jodinjitoze dhe i tha stafit që ta refuzojë testin, nëse i kërkohet një gjë e tillë, shkruan Daily Mail.
Një burim amerikan i tha revistës Vice: “Departamenti i Shtetit kurrë nuk është pajtuar për këtë lloj testimi dhe protestoi drejtpërdrejt te Ministria e Punëve të Jashtme (e Kinës), kur mori vesh se një pjesë e stafit është përfshirë në këtë.”
Muajin e kaluar, Li Tongzeng, mjek i sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes në Pekin, i tha televizionit shtetëror se përdorimi i testit anal është më i saktë, sepse mostra në jashtëqitje mund të vërehet për kohë më të gjatë sesa mostra e marrë nga trakti respirator.