Kina duket se do të zvogëlojë tarifat në veturat e prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, një hap për të cilin ka marrë merita presidenti amerikan, Donald Trump gjatë bisedimeve për tregti që ka zhvilluar me presidentin e Kinës, Xi Jinping në Argjentinë javë më parë, ka raportuar Bloomberg, duke cituar disa persona të afërt me këtë çështje.
Një propozim për të ulur tarifat në veturat në 15 për qind nga 40 sa janë tani, do të shqyrtohet nga Kabineti i Kinës në ditët e ardhshme, është thënë në raport.
Kina ka rritur tarifat në importet e makinave amerikane në 40 për qind në muajin korrik, duke detyruar shumë kompani që të rrisin çmimet.
“Kina është pajtuar për të zvogëluar dhe për të larguar tarifat gati 40 për qind sa janë tani”, ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter ditë më parë.
Presidenti amerikan ka vënë tarifa ndaj mallrave kineze, me arsyetimin se autoritetet kineze kanë qenë të “padrejtë” ndaj SHBA-së në tregti.