Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kritikuar vendimin e Bashkimit Evropian për të mos e ndihmuar Malin e Zi që të shlyejë borxhin ndaj Kinës.
Ajo në një postim në Twitter, ku ka shpërndarë një intervistë të saj për mediumin “N1”, ka thënë se kjo mund të çojë në atë që është parë tashmë në Greqi, që Kina të marrë si kompensim një pjesë të bregdetit në Mal të Zi.
Sipas mediave serbe, borxhi i Malit të Zi ndaj Kinës është rreth një miliard dollarë.
“Nuk jam e sigurt se është një vendim i zgjuar nga ana strategjike”, shkroi anëtarja e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në Twitter.
Ajo ka akuzuar presidentin aktual të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, partia e të cilit qeverisi me vendin për tri dekada, deri para pak muajsh.
Diplomatja gjermane tha se është detyrë e Qeverisë së re të përballet me borxhin e krijuar.
“Udhëheqësit e korruptuar, si presidenti Milo Gjukanoviq, kanë eksploatuar me vite vendin. Tash Qeveria e re duhet të shlyejë borxhin. BE-ja ka bërë tashmë një gabim në Greqi dhe Kina mori portin e Pireut. Tash Kina ka shansin që nëse Mali i Zi nuk mund të shlyejë borxhin të marrë pjesët kryesore të vijës bregdetare të Malit të Zi”, tha ajo.
Podgorica zyrtare, para tri ditësh i bëri kërkesë BE-së për ndihmë në shlyerjen e borxhit, por u refuzua.
Sipas gazetës malaziase “Vijesti”, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ky institucion nuk shlyen borxhe të marra nga pala e tretë. Gazeta shkruan se kreditë janë marrë para dhjetë vjetësh.
Von Cramon: EU decision not to help Montenegro not smart https://t.co/ojluVGah2P
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) April 14, 2021