Kina u hakmerret ShBA-së e Kanadasë me sanksione

Prishtinë | 27 Mar 2021 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Kina të shtunën u vendosi sanksione dy zyrtarëve amerikanë për të drejtat fetare dhe një ligjvënësi kanadez si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve amerikane dhe kanadeze ndaj shtetit komunist rreth të drejtave të njeriut në Xinjiang.

Bashkimi, Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja i vendosën më herët sanksione Kinës rreth asaj që këto vende e vlerësojnë si shkelje të të drejtave të njeriut, më saktësisht pakicës së ujgurëve myslimanë dhe pakicave tjera në rajonin Xinjiang.

Ministria e Jashtme e Kinës përmes një deklarate njoftoi se do të ndërmarrë masa kundër kryetares dhe nënkryetarit të Komisionit për Lirinë Ndërkombëtare të Fesë, që është grup këshilldhënës i qeverisë amerikane.

Kina vendosi sanksione edhe kundër deputetit kanadez, Michael Chong, nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Zhvillim Ndërkomëbtar. Kanadaja më parë ka publikuar një raport me të cilin vlerësohet se shkeljet që janë bërë në Xinjiang paraqesin krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

“Qeveria kineze është e vendosur fuqishëm që ta mbrojë sovranitetin e vet kombëtar, sigurinë dhe interesat për zhvillim dhe u bën thirrje palëve përkatëse që ta kuptojnë gjendjen qartë e t’i korrigjojnë gabimet e tyre”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Aktivistët për të drejtat e njeriut besojnë se rreth 1 milion ujgurë po mbahen në kampet kineze. Ata gjithashtu e kanë akuzuar Kinën për përdorim të torturës, punës së detyrueshme dhe sterilizimit të detyrueshëm ndaj kësaj pakice.

Të ngjashme