Autoritetet kineze ua kanë ndaluar 23 milionë njerëzve blerjen e biletave të aeroplanit dhe trenit vitin e kaluar si pjesë e sistemit kundërthënës, të njohur si “nderi shoqëror”, i cili ka për qëllim që t’i përmirësojë sjelljet e qytetarëve.
Sipas të dhënave të Qendrës Informative për Nder Publik, 17.5 milionë njerëzve u është ndaluar blerja e biletave të aeroplanit, ndërsa 5.5 milionë njerëzve u është ndaluar blerja e biletave të trenit të shpejtë për shkak të shkeljeve që dëmtojnë nderin shoqëror.
Ky sistem ka për qëllim që t’i luftojë sjelljet e këqija përmes ndëshkimeve dhe t’i nxisë sjelljet e mira përmes shpërblimeve. Në mesin e shkeljeve përfshihet mospagimi i taksave individuale dhe gjobave, shpërndarja e lajmeve të rreme, pirja e duhanit në tren, përdorimi i biletave të rreme dhe shëtitja e qenit pa litar.
Institucionet lokale i kanë testuar disa aspekte të këtij sistemi, me të cilin parashihet caktimi i rezultateve për secilin qytetar. Sidoqoftë, analistët kanë thënë se autoritetet në Kinë po e përdorin teknologjinë për ta ndërtuar sistemin e mbikëqyrjes së masës si në romanin e njohur të shkrimtarit anglez, George Orwell, “1984”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.