Pekini dhe qytetet përreth i rritën përpjekjet e tyre të shpëtimit këtë të martë pas reshjeve të mëdha të shiut dhe përmbytjeve që u shkaktuan nga tajfuni Doksuri.
Si pasojë e këtyre janë ndërprerë shërbimet dhe furnizimet me ushqime dhe vdiqën 20 persona.
Distrikti Fangshan i Pekinit tha se do të përdorë helikopterë për të dërguar ushqime, ujë të pijshëm dhe furnizime me gjëra emergjente në fshatrat e zonave malore.
Në Tianjin aty pranë, ku shiu është ndërprerë, 35,000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë dhe qeveria lokale fortifikoi brigjet e lumenjve dhe rriti inspektimin dhe riparimet e linjave të energjisë, ujit dhe komunikimit.
Gjigandi i shpërndarjes së ushqimit Meituan shtoi gjithashtu stafin dhe zgjati kohën e dorëzimit pasi porositë për perime, mish dhe vezë u rritën për 50 përqind në aplikacionin e tij dhe blerjet e përgjithshme u rritën me 20 përqind, raportuan mediat.
Numri i të vdekurve në Pekin u rrit në 11 të martën, 13 persona ende janë të zhdukur. Qeveria e qytetit tha se reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit e kanë tejkaluar nivelet që ishin më të larta të shënuara në korrik të vitit 2012.
Presidenti Xi Jinping kërkoi që të ketë përpjekje të plota për operacionet e kërkim-shpëtimit për të zhdukurit ose të bllokuarit, duke udhëzuar autoritetet që të minimizojnë numrin e viktimave dhe të rivendosin kushtet e jetesës në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur, njoftoi media shtetërore, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.