Kino “Armata” do të hapet sonte me shfaqjen e filmit horror “Kabineti i Dr.Caligarit” dhe një performancë të kolektivit artistik “Tetris”.
Nga ora 19:00 do të transferohet filmi horror gjerman, me regji të Robert Wiene.
Kabineti i Dr. Caligari (gjermanisht: Das Cabinet des Dr. Caligari) është film horror gjerman pa zë i prodhuar në vitin 1920.
I konsideruar si vepra më e rëndësishme e kinemasë ekspresioniste gjermane, filmi tregon për hipnotistin e çmendur Werner Krauss, i cili përdor somnambulistin Conrad Veidt për të kryer vrasje. Filmi ka stil të errët dhe të shtrembëruar vizuel, me forma të mprehta, vija oblike dhe harkore, struktura dhe panorama të cilat lakohen nën kënde të çuditshme, dhe hije e shtresa të dritës të ngjyrosura drejtpërdrejt në sheshxhirim.
Filmi prezanton tema të autoritetit brutal dhe irracional; Dr. Caligari prezanton qeverinë e luftës së Gjermanisë, derisa Cesare është simbol i njeriut të thjeshtë, të kushtëzuar, si ushtarët, për vrasje.
Në librin e tij me ndikim prej Caligari te Hitleri, Siegfried Kraucauer thotë se filmi reflekton nevojën e nënndërgjegjshme të shoqërisë gjermane për të pasur tiran, duke qenë shembull i bindjes së tyre ndaj autoriteteve dhe mosdashjes për t’u rebeluar kundër autoritetit të çmendur.
Ai thotë se filmi është paralajmërim i ngritjes së Adolf Hitler dhe Partisë Naziste, dhe se shtimi i rrëfimit bazë kthen filmin përndryshe “revolucionar” në film “konformist”. Tema tjera të shtjelluara përfshijnë kontrastin destabilizues mes çmendurisë dhe mendjes së shëndoshë, percepcionin subjektiv të realitetit, dhe dualitetin e natyrës njerëzore.
TETRIS është grup i artistëve të bazuar në Prishtinë, që krijojnë audio ambiente mbi fraza hipnotike të sintave të shumtë dhe basit të thellë. Line-up që ndryshon tërë kohës nuk heziton të manipulojë analogisht kitarat e zhurmshme, piano klasike dhe ritme monotone, duke shtuar ngjyrë performancave të tyre të paparashikueshme dhe (shpesh) eksplozive.