Atleti kenian Eliud Kipchoge ka triumfuar të dielën në maratonën e famshme të Londrës, duke u bërë i pari që ka fituar katër herë këtë garë, ndërsa vendosi edhe rekord të shtegut. Është arritja e radhës e madhe e maratonistit më të mirë në histori. Ai vrapoi të dielën 42 kilometra e 195 metra në Londër me kohë 2:02:37 orë, ndërsa ishte maratona e dytë më e shpejtë në histori.
Pjesa tjetër e garuesve thjesht nuk arritën të mbaheshin me Kipchogen, që nisi të nxitonte nga gjysma e garës dhe më pas sërish me 1.6 kilometra pa mbaruar gara, shkruan sot Koha Ditore.
Ai ishte gati një minutë larg rekordit të tij të botës që e kishte vendosur vitin e kaluar në Berlin, duke vrapuar 2:01:39 orë.
Maratonisti i madh nuk ka treguar se kur do të jetë gara e tij e radhës.