Është vështirë të zgjedhësh se cili ka qenë momenti më i mirë në karrierën e rekordmenit të botës në maratonë (vrapim 42 kilometra e 195 metra), Eliud Kipchoge.
Keniani është i pamposhtur për shtatë vjet.
Por, aty është momenti madhor, kur 35-vjeçari theu barrierën e vrapimit të maratonës në më pak se dy orë – një gjë që asnjë njeri nuk e ka arritur – duke vrapuar me një ritëm prej 4:34 minuta për 1.6 kilometra.
Por, Kipchoge është i qartë se një gjë dëshiron ta shijojë sërish.
“Dua të mbroj titullin olimpik në maratonë në një konkurrencë të fortë”, ka thënë Kipchoge për “Olympic Channel”.
Gjatë karrierës së tij në maratonë, kampioni olimpik ka qenë i jashtëzakonshëm, konstant, i shpejt dhe i pandalshëm.
Ai është duke synuar të fitojë për herë të pestë maratonën e famshme të Londrës.
“Synimi im është që të arrijë më tepë se tre miliardë njerëz dhe mendoj se ata do ta pranojnë se e kam arritur këtë në mënyrë të mirë”, ka thënë Kipchoge.
Po ashtu aty është edhe Berlini. Fituesi i trefishtë i maratonës së Berlinit, e fitoi garën në kryeqendrën e Gjermanisë në vitin 2018 në mënyrë të jashtëzakonshme.
Ndonëse u përballë me dhembje në këmbë gjatë pjesës më të madhe të garës, për shkak të atleteve të prishura, Kipchoge vazhdoi dhe e fitoi.
Kipchoge u kthye në Berlin në vitin 2019 dhe e fitoi garën me kohë rekorde të botës prej 2:01:39 orë.
Në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ai fitoi medaljen e artë olimpike, duke ia shtuar të argjendtës në “Pekin 2008” dhe bronztës në “Athinë 2004”, të cilat i kishte fituar në 5000 metra vrapim.
Por, viti 2019, është vit për t’u mbajtur në mend për Kipchogen.
Ai bëri histori duke vrapuar maratonën në më pak se dy orë në tetor në Vjenë.
Nuk i njoh si rekord, për faktin se nuk ishte garë e hapur, por mbetet një arritje e madhe njerëzore.
Kipchoge ka shpresuar që këtë vit ta përfundoj si kampion i dyfishtë olimpik, por duhet të pres pasi që Lojërat Olimpike në Tokio janë shtyrë për një vit për shkak të pandemisë COVID-19.
Duke folur për Olympic Channel, Kipchoge ka treguar se mbrojtja e titullit olimpik është një gjë që e synon.
“Nëse çdo gjë shkon mirë në vitin 2021, atëherë do ta mbrojë titullin tim në maratonë në një konkurrencë të fortë dhe me një kohë të mirë”, ka thënë Kipchoge.
Pasi përfundoi stinorin e kaluar në mënyrën më të mirë, atleti nga Kenia kishte synuar të vazhdonte me formë të lartë në maratonën e Londrës, por kjo është shtyrë për tetor.
Atij i është dashur kohë për të përballur shtyrjen e Lojërave Olimpike dhe të maratonës së Londrës.
“Herën e parë ishte shokuese, por pas një kohe e binda mendjen time të pranoj ndryshimin. Jam një person që kërkon ndryshime. Dhe në kohë të tilla duhet ndryshimi”, ka thënë Kipchoge. “Janë kohë vërtetë të çuditshme në sport në përgjithësi, veçanërisht për ne atletët që ishim tashmë në formë të mirë. Në këtë kohë, në rrethana normale, në çdo fundjavë do të kishte nga një maratonë në qytete të mëdha. Por, maratonat janë si jeta, kemi shtigje të rrafshëta, teposhta dhe po ashtu përpjeta. Tash jemi në një përpjetë, është koha më e vështirë. Dhe si në maratonë, kjo është koha kur ke vështirësi të ngjitesh në kodër”, ka thënë Kipchoge.
Kipchoge ka kapacitet të jashtëzakonshëm fizik dhe e shfaq atë si në stërvitje ashtu edhe në gara. Por, forca e tij e vërtetë është mendja e tij. Është ajo që e ka bërë legjendë të maratonave.
Ai ia atribuon forcës mentale triumfet në maratonat më të ngushta.
“Unë gjithmonë them se nuk vrapoj me këmbë e mia, por vrapoj me zemrën dhe mendjen time”, ka thënë ai.
Në garën e tij të tretë në Berlin në vitin 2017, ai arriti të përballonte një ofensivë të etiopianit Guye Adola nga fundi i garës.
Ishte qasja e njëjtë që i ka siguruar Kipchoges edhe triumfin në maratonën e Londrës në vitin 2019.
Ai kontrolloi në mënyrë komode garën nga fillimi deri në fund.
“Kisha tre persona të fortë dhe të gjithë po synonin të vraponin kohë të mirë dhe të më mposhtnin. Një zë brenda meje më tha, ‘duhet të vraposh ngadalë me këta dhe të sulmosh më vonë’”, rikujton ai me buzëqeshje në fytyrë. “Por, një zë tjetër më tha, ‘Jo…ke ushtruar fortë për Londër. Dëshmoja botës këtë’. Unë doja të vrapoja kohën më të mirë ndonjëherë në Londër dhe doli se ishte koha e dytë më e mirë e regjistruar në maratonë”.
Kipchoge fitoi me 2:02:37 orë. Ishte fitorja e 11-të e tij në 12 maratona që nga debutimi në Hamburg shtatë vjet më parë.
Por, a e mban në mend ai se kur humbi garën e fundit?
“Ishte dikur në Berlin gjatë maratonës sime të dytë (në vitin 2013). Ende po mësohesha me maratona. Nuk kam humbur shumë”, ka thënë ai, ndërsa kishte dal në vend të dytë në atë garë.
Kampioni i botës i vitit 2003 ka pasur gjithmonë qasje pozitive, duke jetuar dhe mësuar nga humbjet.
Në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, Kipchoge ishte gati për t’u dëshmuar në paraqitjen e tij të dytë në ngjarjen e madhe.
Por, ai u desh të priste edhe për tetë vjet për të fituar titullin olimpik.
“Unë vërtetë isha në formë në Pekin. Edhe dy rrathë pa mbaruar gara, mendja po më thoshte, ‘Do të jesh kampion olimpik këtë vit!’ Por, unë nuk kisha më energji dhe Kenenisa Bekele fitoi garën. Medalja e argjendtë olimpike ishte e mirë për mua, ishte medalja ime e dytë olimpike dhe vërtetë bëra përparim të madh duke fituar të artën në Rio tetë vjet më vonë”, ka shtuar Kipchoge.
Kipchoge u bë vetëm keniani i dytë pas Samuel Wanjirus, në Pekin 2008, që fitoi të artën në maratonë.
Ai dëshiron të shtojë edhe një të artë olimpike.
“Nëse çdo gjë shkon mirë, atëherë vitin e ardhshëm do ta mbroj titullin olimpik në një konkurrencë të fortë dhe kohë të mirë”, ka thënë Kipchoge.
Abebe Bikila (1960 dhe 1964) dhe Waldemar Cierpinski (1976 dhe 1980), janë dy atletët e vetëm që kanë mbrojtur titullin olimpik në maratonë.