Poezi: Kjo dashuri

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 23:46 | Nga Ekonomia Online

Nga Jacques Prevert

Kjo dashuri
Kaq e dhunshme
Kaq e brishtë
Kaq e butë
E dëshpëruar
Kjo dashuri
E bukur si dita
E zymtë si koha
Kur bën mot i keq
Kjo dashuri kaq e vërtetë
Kjo dashuri kaq e bukur
E lumturuar
E gëzuar
Po edhe e mjerë
E dredhur si fëmijë kur nata zë të bjerë
Me ndjenjë sigurie të lartë
Si një njeri i qetë në mesnatë
Kjo dashuri që të tjerët i trembte
I bënte të pëshpërisnin
Kjo dashuri që i zbehte
Që e gjurmuar
Se vetë e gjurmojmë
E ndjekur e plagosur e shkelur e sosur mohuar harruar
Se vetë e kemi përndjekur plagosur sosur mohuar harruar
E tërë kjo dashuri
Ende kaq e gjallë
Me ndriçim diellor të rrallë
Kjo dashuri është e imja
Është e jotja
E atij tjetrit
Gjithmonë e re
Që mbet ashtu siç qe
E vërtetë si një pemë
Drithëruar si një zog
E ngrohtë kaq e gjallë
Si vera vjen e bardhë
Ne që të dy
Di ikim e do vijmë
Ne mund dhe të harrojmë
E gjumi të na zërë
Të zgjohemi sërish
Të vuajmë e të plakemi
E gjumi prapë vjen
E vdekjen t’ ëndërrojmë
Përmendemi sërish
E qeshim dhe gëzojmë
E jetë marrim rishmëzi
Po dashuria s’do humbasë
Asgjë atë nuk do ta tresë
E ndezur si dëshirë
Mizore si kujtesë
Budallaqe si pendesë
E butë si kujtime
E ftohtë si mermer
E bukur si një ditë
E brishtë si fëmijë
Me gaz na sheh në sy
Na flet pa nxjerrë fjalë
E dridhem posi valë
Thërras
Thërras për ty
Për veten time thërras
E duke lutur rri
Për ty për veten time
Dhe tër’ ata që duhen
Dhe tër’ ata q’u deshën
Dhe ja tek i thërras
Për mua e për ty
Këdo që vjen më pas
Ende që nuk e njoh
Ti prit atje
Më prit atje ku je
Atje ku qe dikur
Më prit mos u largo
Mos ik mos mërgo
Se ne që dashuruam
Ty prapë të harruam
Po ti mos na harro
Gjë tjetër s’ka veç teje
Sado larg që të jesh
Nuk e di se ku
Së largu do na gjesh
Të fshehur pas një peme
A ndofta dhe më vonë
Si në një pyll të dendur
Brenda kujtesës sonë
E sa të mundesh më shpesh
Fytyrën na dëfto
E dorën na zgjat
Dhe shpirtin na shpëto.

(Përktheu: Dalan Shapllo)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme