Redi Jupi ka dhënë dorëheqje nga Kombëtarja U-21 e Shqipërisë, derisa “Sport Ekspres”, zbulon arsyet e largimit të tij.
Sipas gazetës shqiptare, Jupi nuk ka pasur asnjëherë raport të mirë me trajnerin e Kombëtares A, Gianni de Biasi dhe ndihmësin e tij, Paolo Tramezanni.
“De Biasi i ka marrë thuajse gjithmonë lojtarë Shqipërisë U21, shpesh pa njoftuar dhe pa u koordinuar me Jupin, pikërisht kur ky i fundit kishte më shumë nevojë për talentet e tij. Marrëdhëniet mes De Biasit e Jupit kanë qenë të ngrira kohët e fundit dhe nuk kishte asnjë komunikim mes tyre, shpesh me të drejtë, sepse nuk duhet harruar se lojtarë si Manaj, Strakosha, Grezda e Latifi janë bërë pjesë e Kombëtares A pa luajtur fare aty, ndërkohë që Shpresa luante ndeshje vendimtare në garën për kualifikim”, shkruan “Sport Ekspres”.
“Edhe në ndeshjet kundër Lihtenshtejnit e Spanjës Grezda e Latifi u bashkuan me kombëtaren e De Biasit, pa luajtur fare, ndërkohë që Shqipëria U21 u mund keqas në Izrael. Edhe marrëdhëniet e Jupit me Tramezannin, i caktuar si drejtor i ekipeve kombëtare, kanë qenë shumë të ftohta, me Jupin që nuk i shkoi asnjëherë në mbledhjet që italiani organizonte”.