Mbrëmë në emisionin “Për’puthen” ka hyrë një konkurrente e re nga Kosova, Laureta Zyba.
Laureta është motra e konkurrentes tjetër në këtë emision e cila ka hyrë disa javë më parë, Rrushe Zyba.
Laureta u prezantua si balerinë, teksa tregoi se vjen nga Komuna e Suharekës, shkruan lajmi.net.
Por, duket se ajo është emër i njohur edhe për organet e drejtësisë në Kosovë.
Rreth katër vite më parë, ajo ishte arrestuar në një aksion policor në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, ku Njësia Speciale kishin bërë arrestimin e katër personave.
Dy nga personat e arrestuar ishin me prejardhje nga Mali i Zi, një nga Serbia dhe një femër (Laureta) nga Kosova.
Siç kishin raportuar mediat në Kosovë, në mesin e të arrestuarve ishte edhe Laureta Zyba, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë ishin në kërkim nga Interpoli, pasi që ishin të dyshuar për vrasje të kryera jashtë vendit.
Përgjatë arrestimit të tyre në një banesë në lagjen “Kalabria”, policia kishte konfiskuar armë, municion dhe narkotikë.
Laureta Zyba ishte raportuar se është valltare në disa klube të natës në Kosovë dhe dyshohej se e njëjta ka bashkëpunuar me rrjetin kriminal përgjatë kohës sa ata qëndronin në Kosovë.
Të dyshuarës i ishte ndërprerë paraburgimi më 10 tetor të vitit 2018 dhe sipas avokatit të saj, Fanol Krasniqi, gjykata ka vendosur që ndaj Lauretës të ndërpres masën e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me masën e lajmërimit në stacionin policor.
“Me kërkesën time si avokat i saj, Laureta Zyba është liruar nga paraburgimi dje pasdite në ora 16:00. Pra, asaj i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i është shndërruar masa me lajmërimin në stacionin policor. Marrja e saj në pyetje është bërë të hënën në Prokurori dhe Gjykata është informuar se ajo është marrë në pyetje dhe e njëjta ka vendos ta ndërprerë masën e paraburgimit”, kishte deklaruar Krasniqi.