Kosova dhe Gjermania, respektivisht ministri i Shëndetësisë së Kosovës Uran Ismaili dhe ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, kanë nënshkruar dje një deklaratë të përbashkët bashkëpunimi në mes të dy vendeve.
Në bazë të kësaj marrëveshje, bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Gjermanisë do të orientohet në katër fusha kryesore, njofton Klan Kosova.
Fusha e parë dhe kryesore e këtij bashkëpunimi do të jetë ndihma dhe asistimi në funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Kjo pritet të bëhet përmes shkëmbimit të ekspertizës, informacionit dhe përvojave në lidhje me organizimin, strukturën dhe reformat në fushën e shëndetësisë.
Ndërkohë, rritja e kapaciteteve menaxhuese në spitale përmes asistimit të ekspertëve gjermanë, kualifikimi i profesionistëve shëndetësorë, si dhe mbështetja e akreditimit dhe certifikimi i stafit shëndetësor janë edhe tri fushat e tjera të marrëveshjes.
Marrëveshja thotë se kjo mund të arrihet përmes shkëmbimit të ekspertëve, delegacioneve dhe personelit shëndetësor në fushën e shëndetësisë me qëllim të realizimit të trajnimeve afatshkurtra si përmirësimi i aftësive profesionale dhe konsulencës.
Ndërkohë, mbështetja e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet fondacioneve, institucioneve dhe organizatave përkatëse është një tjetër mënyrë që qon drejt implementimit të marrëveshjes.
Më poshtë marrëveshja e plotë:
Me këtë Deklaratë të Përbashkët të qëllimit (në tekstin e mëtejmë “DP”), Ministria Federale e Shëndetësisë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë “Pjesëmarrësit”) dëshirojnë të rrisin bashkëpunimin e tyre në fushën e shëndetësisë. Ata synojnë të forcojnë marrëdhëniet miqësore midis vendeve të tyre dhe të kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit të popullatës në vendet e tyre përkatëse.
Në këtë mënyrë ata arritën në mirëkuptimin si në vijim:
I. Me qëllim të promovimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të dobishëm dhe të intensifikuar, Pjesëmarrësit synojnë të shkëmbejnë përvojën dhe të bashkëpunojnë në fushat e mëposhtme:
a) sigurimi shëndetësor;
b) menaxhimin e shëndetit;
c) kualifikimin e profesionistëve të shëndetësisë
d) mbështetjen e akreditimit dhe certifikimit të stafit infermieror
II. Zbatimi i bashkëpunimit të cekur më sipër mund të bëhet përmes metodave të mëposhtme:
a) shkëmbimi i ekspertëve, delegacioneve dhe personelit shëndetësor në fushën e shëndetësisë me qëllim të realizimit të trajnimeve afatshkurtra si
përmirësimi i aftësive profesionale dhe konsulencës;
b) shkëmbimin e ekspertizës, informacionit dhe përvojave në lidhje me organizimin, strukturën dhe reformat në fushën e shëndetësisë;
c) mbështetjen e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet fondacioneve, institucioneve dhe organizatave përkatëse;
d) mbështetja dhe përfshirja e të dy palëve në takime, seminare dhe konferenca në disiplina të ndryshme shëndetësore për kërkuesit, profesionistët e shëndetësisë dhe administratorët e të dy vendeve
e) mbështetje për zbatimin e arsimit cilësor në profesionet e kujdesit shëndetësor
III. Kjo DP do të hyjë në fuqi në datën e nënshkrimit. Bashkëpunimi sipas kësaj DP-je mund të ndërpritet nga cilido prej Pjesëmarrësve në çdo kohë përmes njoftimit paraprak me shkrim për Pjesëmarrësin tjetër, nëse është e mundur jo më vonë se gjashtë (6) muaj para datës së dëshiruar të ndërprerjes. Ndërprerja e bashkëpunimit sipas kësaj DP-je nuk ka për qëllim që të ndikojë në zbatimin e aktiviteteve dhe projekteve të iniciuara ose atyre në vazhdim e sipër.
IV. Kjo DP nuk është hartuar për të përbërë një dokument ligjërisht detyrues. Asnjë nen i kësaj DP-je nuk do të interpretohet për të krijuar të drejta ose detyrime ligjore për Pjesëmarrësit.