Xhiro e 28 në Superligën e Kosovës nis me ndeshjen në mes të Arbërisë dhe Trepçës ‘89.
Tashmë kur po futemi në fazën e katërt, atë finale, të dy këto skuadra ndodhen në luftë për të ruajtur statusin e skuadrës elitare.
Këtë të premte më 9 prill do të takohen për herë të katërt dhe sërish në një stadium ndryshe, këtë herë në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, aty ku skuadra nga Dobraja po i zhvillon ndeshjet si vendas.
Fitorja mbetet obligim për dy skuadrat nëse dëshirojnë të mbeten në Superligë.
Dy skuadrat kanë nga një fitore në takimet ndërmjet tyre, ndërkohë një ndeshje tjetër ka përfunduar me rezultat të barabartë.
Sfida do të zhvillohet nga ora 15:00.
Të shtunën do të përballen Ballkani me Besën dhe Gjilani me Feronikelin, derisa të dielën luajnë lideri Drita me KF Llapin dhe Prishtina do të ketë punë me Feronikelin.