Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur mbledhjen e katërt të rregullt për këtë vit, ku janë shqyrtuar dhe janë miratuar apo janë dhënë rekomandime, për çështjet apo për pikat të cilat janë trajtuar në mbledhjen e sotme.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në mesin e vendimeve të kësaj mbledhje, është edhe vendimi apo miratimi i Planit Zhvillimor Komunal për Komunën e Malishevës, për vitet 2019-2027.
Tutje thuhet se në mbledhjen e sotme të rregullt të KK të Malishevës është shqyrtuar edhe raporti i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, për përfundimin e gjysmë vjetorit të parë të vitit shkollor 2018-2019.
Po ashtu në mbledhjen e sotme, është shqyrtuar edhe raporti i KRU “Hidroregjioni jugor”, njësia operative në Malishevë, lidhur me furnizimin me ujë për pije në vendbanimet të cilat i menaxhon kjo kompani.
Pas raportit të prezantuar, anëtarët e KK të Malishevës, kanë dhënë disa rekomandime, që lidhen me furnizimin me ujë për pije, e që kanë të bëjnë me cilësinë e ujit, sistemin e rrjetit të ujësjellësve, projektet e ujësjellësve dhe të ngjashme.
Në këtë mbledhje, KK ka miratuar edhe zëvendësimin e disa anëtarëve në komisionet komunale, si dhe ka miratuar dorëheqjen e një pjesëtarit të komunitetit RAE, Artur Osmani nga Komiteti për Komunitete, i cili ka dhënë dorëheqje për çështje personale.