Kuvendi i Komunës së Malishevës sot ka vendosur për ndarjen e çmimeve për nder të Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Malishevës, për trimëri dhe heroizëm, për kontribut në shkollën shqipe dhe për kontribut në shëndetësi.
Për këtë vit, Kuvendi i Komunës së Malishevës, i ka ndarë çmimet, sipas propozimeve të dala nga Këshilli Organizativ për shënimin e 16 Qershorit. Çmimi për trimëri dhe heroizëm “Imer Krasniqi” për këtë vit iu nda veteranëve luftëtarë, Ismet Kafexhollit dhe Avdi Gashit, çmimi për kontribut në shkollën shqipe “Hamdi Berisha”, Fatmire Bogiqit (post-mortem) dhe Xhemajl Bytyçit dhe çmimi për kontribut në shëndetësi “dr. Shpëtim Robaj”, mjekut Mexhid Toplana dhe infermierit të pensionuar Hajrë Mazreku.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve zhvillohet nesër (16 qershor), me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës.