Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj-Beqaj, sot ka thirrur në një takim konsultativ dhe informues, Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë.
Zëvendësministrja Hajzeraj-Beqaj, në këtë takim i njoftoi të pranishmit me mandatin dhe rëndësinë e këtij Këshilli, për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
Të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar, e përshëndetën vendimin e kryeministrit dhe fillimin e funksionalizimit të këtij këshilli, të cilët u zotuan se do të angazhohen maksimalisht që ky organizëm të veprojë në harmoni të plotë me dispozitat ligjore të vendit.
U diskutua po ashtu se, si Këshill i ri, që po fillon punën për herë të parë në Kosovë, do të ishte mirë që të konsultohen dhe të merren në konsideratë edhe përvojat e vendeve të rajonit.
Përbërja e Këshillit Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, është si vijon: Rita Hajzeraj-Beqaj, zv/ministre e MPMS; Izet Sadiku, zv/ministër i Shëndetësisë; Basri Ibrahimi kryeinspektor i Punë; Besim Mustafa OEK; Sylejman Klinaku, AKB; Hysen Hyseni, Bashkimi i Sinidikatave të Kosovës; Adem Llumnica, Bashkimi i Sindikatave të Kosovës; Xhevat Pllana, ekspert i Mjekësisë së Punës; Izet Shehu, ekspert nga fusha e shëndetit dhe sigurisë në punë (KEK); Minir Curri, ekspert nga fusha e shëndetit dhe sigurisë në punë (Hani i Elezit –Fabrika e Gëlqeres) dhe një ekspert ad- hoc sipas rastit.
Në këtë takim u vendos që organet drejtuese të Këshillit të zgjidhen në mbledhjen e ardhshme, e cila do të thirret në dakordim me minsitrin e MPMS-së, Arban Abrashi dhe Këshillin Ekonomik Social.