Klan Kosova: MINT nuk po e thotë të vërtetën, i ndërruam dokumentet menjëherë

Prishtinë | 30 Kor 2023 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Duke marrë si shkas mënyrën e arsyetimit të Vendimit të kundërligjshëm të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, nga ana MINT e cila pretendon që Klan Kosova nuk ka bërë ndryshimet në dokumentet përkatëse, edhe njëherë detyrohemi që t’i ofrojmë opinionit sqarime shtesë, meqë të njëjtat nuk janë marrë parasysh nga ana e MINT gjatë shqyrtimit të Ankesës së Klan Kosova dhe për më tepër të njëjtit kanë bërë konstatim të gabuar të gjendjes faktitke.

Fillimisht, sqarojmë që Klan Kosova do ta ushtrojë të drejtën e saj ligjore për të kërkuar anulimin e Vendimit të kundërligjshëm dhe natyrisht do prezantojë të gjitha provat dhe shkeljet e njëpasnjëshme të MINT dhe ARBK. Mirëpo, përkundër këtij fakti, konsiderojmë se mashtrimi institucional nuk bën të kalojë dhe ne duhet të reagojmë ndaj çdo shtrembërimi të fakteve.

Konfirmojmë edhe njëherë, ashtu siç tregohet në dokumentin e bashkëngjitur, se dokumentet e ndryshuara mbajnë datën e 20 qershorit 2023 dhe të njëjtat janë dorëzuar në ARBK më datë 21 qershor 2023, kur edhe u mor vendimi për ta hequr pezullimin e certifikatës së Klan Kosova. Prandaj, ashtu siç është e njohur tashmë se në të njëjtën ditë u shkarkua drejtoresha e ARBK-së, u zëvendësua me një tjetër dhe sërish u pezullua jashtëligjshëm certifikata.

Për më tepër pas Vendimit të datës 28 korrik 2023 dhe njoftimit të MINT në rrjete sociale, në mënyrë që të rrëzojmë pretendimet lajthitëse të këtij njoftimi, të bashkangjitur në këtë komunikatë mund të gjeni gjithashtu Certifikatën e datës 28 korrik 2023, ora 19:00, e cila vërteton saktë edhe njëherë që ndryshimet janë bërë.

Për ta qartësuar përfundimisht, në dokumentet e Klan Kosova të paraqitura në MINT dhe në ARBK, siç shihet edhe në faksimilin bashkëngjitur, figuron vetëm Kosova.

Të ngjashme