Qasja e Qeverisë karshi medieve po cilësohet e gabuar, madje presioni që po u bëhet këtyre të fundit po vlerësohet më brutali i ndodhur ndonjëherë, raporton Ekonomia Online.
Për këtë çështje nën moton “Demokracia vdesë në errësirë”, në sheshet e Prishtinës është protestuar në përkrahje të Klan Kosovës, pas vendimit për pezullim të certifikatës së regjistrimit.
Drejtori i mediumit “Nacionale” Berat Buzhala tha se Qeveria ka marrë “yrysh” kundër medieve dhe se nuk duhet të lejohet të mbyllet Klan Kosova. Sipas tij, nëse një gjë e tillë ndodhë do mbyllen shumë më lehtë edhe medet e tjera.
Ai shton se nuk ka sundim të ligjit pa medie, mdonëse pohon se këto nuk janë perfektë pohon se po e bëjnë vetëm punë që janë të thirrur.
”Kjo është hera e parë që kaq shumë gazetarë dalin të protestojnë, që pas luftës për një temë të caktuar. Yryshi i Qeverisë për të mbyllur media është edhe i rrezikshëm edhe i frikshëm për zanatin tonë, por jo veç për zanatin tonë, por për demokracinë. Pa media nuk ka demokraci, pa media nuk ka zgjedhje të lira, pa medie nuk ka sundim të ligjit. Nuk janë mediat perfekt, por janë shumë ma perfekt se Qeveria. Mediat nuk shesin dhe nuk blejnë vaj me para të qytetarëve, nuk shesin dhe nuk blejnë grurë me para të qytetarëve”.
“Nuk dialogojnë me para të qytetarëve. Ne vetëm raportojmë. A bëjmë gabime? Bëjmë ndonjëherë. Por këta janë të fundit që mund të na gjykojnë neve. Kjo është hera e parë që një pushtet që i ka fituar 51% bënë yrysh t’i mbylli mediat. Nuk ka kurgjo më të rrezikshme për vendin sesa ta mbyllësh një media. Albin Kurti me njerëzit e tij e kanë kapërcyer Rubikonin, kanë dal në anën tjetër, ku nuk guxojnë të dalin. E këtu ne duhet të rezistojmë. Nuk duhet të lejojmë të mbyllet Klan Kosova, sepse do jetë vetëm rasti i parë, pastaj të tjerat do ndodhin shumë më lehtë”, tha Buzhala për Ekonomia Online.
Valon Syla, drejtor i mediumit “Metro”, tha se Qeveria po del të jetë një cekan për mediet. Sipas tij, Kosoav po rrëshqet drejt nëj shtetit autokrat dhe se gazetarët cdo ditë sulmohen në rrugë dhe linçohen nëpër rrjete sociale.
“Është një tendencë e çuditshme e Qeverisë e cila po duket më shumë sikur të jetë një çekan për media. Ndoshta një pjesë e madhe e gazetarëve e analistëve po mendojnë se e gjithë kjo është bërë që të tërhiqet vëmendja prej përgjimeve, prej sanksioneve, dhe e kanë zgjedhur mediat që t’i godasin. Është për t’u ardhur keq se si një Qeveri gazetarët dhe mediat e tjera i ndjekë me administratë tatimore, sillen ministrat duke i linçuar gazetarët me emra, si rasti i Sveçlës e kështu me radhë”.
“Dhe jemi duke rrëshqitur në një autokraci që i ngjan më shumë Ergoanit e Orbanit në Hungari, dhe që gazetarët çdo ditë e më shumë sulmohen në rrugë dhe linçohen nëpër rrjete sociale. Kjo kërcënon lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes është baza e të drejtave të njeriut me të cilën promovohen të gjithë të drejtat e tjera”, u shpreh Syla për EO.
Drejtori i organizatës joqeveritare KIPRED, Lulzim Peci tha se nuk e kishte menduar kurrë se do duhej të dilnin të protestonin për të mbrojtur lirinë e medieve, raporton EO.
“Kauza e sotshme ka të bëjë me një çështje fundamentale të cilën kurrë nuk kam menduar se do të duhet ta mbrojmë. Edhe atë 25 vite pas luftës dhe kjo ka të bëjë me lirinë e medieve dhe lirinë e shprehjes. Domethënë kemi ardhur në një pikë ku për mua ka qenë totalisht e paimagjinueshme por ja që u bë realitet”.
Opinionisti Agon Maliqi, tha se Qeveria po e krijon formë të armiqësimit të zërave kritikë, dhe se kushdo që e kritikon po paraqitet si agjentë të Serbisë.
“Kam dalur si pjesëtar i shoqërisë civile, si qytetar, në mbështetje të fjalës së lirë, për këtë përpjekje që nuk ka të bëjë vetëm me Klan Kosovën, por ka të bëjëme një frymë të përgjithshme që po e krijon Qeveria, të armiqësimit me zërat kritikë, përfshi edhe mediat, po bëhen përpjekje për t’i delegjitimuar mediat. Këdo që e kritikon qeverinë, t’i paraqesin si agjentë të Serbisë, të huaj”.
“… mendoj se në këtë rast bëhet fjalë për dicka të tillë, është një përpjekje për ta intimiduar një media të madhe në mënyrë që t’i intimidojnë edhe mediat e tjera, kështuqë është një kauzë që mendoj se të gjithë do duhej ta mbështesnin”.
Më 14 qershor MINT ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova. Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), anuloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës por më 21 qershor, ajo e shfuqizoi vendimin. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.
Pas ankesës së Klan Kosovës, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi më 28 korrik se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim, siç kanë thënë, të thellë, me vendimin e Ministris së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.