Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, u bë promovimi dhe firmosja e disa librave nga autorja dhe publicistja Klara Buda.
Buda ka kërkuar që librat e marrë nga forcat serbe gjatë luftës të kthehen në Kosovës, ngase sipas saj numri i madh i librave në shqip që i janë marrë Bibliotekës Kombëtare nuk mund të gjenden më.
Ajo gjatë promovimit të librave të saj foli edhe për heqjen e doganës së librit në mes Kosovës e Shqipërisë, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, edhe pse flitet shumë për bashkimin kombëtar ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.
“Bashkimi mes Kosovës me Shqipërinë të gjithë e proklamojnë disa e përdorin për qëllime politike, por gjëja e parë që duhet bërë është heqja e doganës së librave mes këtyre dy vendeve”.
Ajo foli edhe për librin e fundit “Pëshpërimë Gruaje”, duke shtuar se kjo është një vepër që paraqet jetën e saj.
“Është një libër që është pjekur në mua qe dhjetë a njëzet vjet, kur unë ika nga një Shqipëri totalitare në një vend demokratik”.
Buda tha se këtë libër e km shkruar në gjuhë të thjeshtë, në mënyrë që ta kuptojë secili që e lexon, për të kuptuar sesi kanë jetuar dikur në Shqipëri, nën regjimin socialist.
Për librat e Klara Budës foli edhe Abdullah Zeneli nga shtëpia botuese “Buzuku”. Zeneli tha se libri “Kosova Mon Amor” shkëlqeu në panairin e librit në Frankfurt.