Klaus Gjasula vendos të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare!

Prishtinë | 28 Gus 2024 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Klaus Gjasula ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja shqiptare.
Mesfushori luftarak ka biseduar me trajnerin Silvinjo dhe stafin teknik, duke i komunikuar vendimin e tij.

Gjasula numëron 29 ndeshje me Kombëtaren, duke debutuar më 7 shtator 2019 në ndeshjen Francë-Shqipëri, ndërsa ishte pjesë e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, aty ku gjeti edhe rrugën e rrjetës për herë të parë me fanellën kuqezi në sfidën e paharrueshme Kroaci – Shqipëri, që përfundoi në barazim 2-2.

Sakaq, me anë të një postimi në rrjetet sociale futbollisti ka bërë të ditur vendimin e tij, duke u shprehur se për të ka qenë gjithmonë një ëndërr të luante dhe të përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ndërsa shton se është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve.

“E kisha ëndërruar gjithmonë të luaja me Kombëtaren dhe e realizova. Isha në një Europian, shënova një gol dhe u ndjeva njeriu më i lumtur. Nëse kthej kokën pas, kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga grumbullimi i parë, te ndeshja debutuese ndaj Francës në “Stade de France” dhe tek ajo e fundit ndaj Kroacisë në Europian. Edhe kur e mendoj tani ende dridhem nga emocionet.

Gjithsesi, me ftohtësi kam gjykuar dhe kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr.

Pas pesë vitesh do të kem mundësinë të vij në stadium dhe ta mbështes Kombëtaren tonë si tifoz. I jam falënderues Zotit, familjes time dhe të gjithë njerëzve që më kanë qëndruar pranë në çdo moment dhe kanë besuar tek unë.

Në veçanti dua të falënderoj edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Armand Duka, trajnerët më të cilët kam punuar, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Junior, stafin teknik të Kombëtares dhe të gjithë bashkëlojtarët që ndamë këtë rrugëtim, që për mua është më i veçanti.

Sukseset e arritura nuk do të ishin të mundura pa tifozët më të mirë në botë, ata të cilët na kanë mbështetur gjithmonë, si në humbje, fitore apo barazim. Faleminderit nga zemra të gjithë tifozëve kuqezi. Për mua ishte nder dhe krenari të vishja fanellën e Kombëtares!” – shkruan Klaus Gjasula.

Federata Shqiptare e Futbollit e falënderon dhe i shpreh mirënjohjen mesfushorit për kontributin e dhënë në fushën e lojës me fanellën kuqezi në gjithë këto vite, ku ka spikatur gjithmonë për grintën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij të pakursyer në çdo sfidë.

Të ngjashme