Në kuadër të Javës Botërore të Statistikave, “Kosovo Liberal Center” ka vendosur që shënimin e kësaj jave ta bëjë përmes një videoanimacioni, ku përmes statistikave riakutalizohet situata e rëndë e të rinjve në vend, papunësia e të cilëve vazhdon të jetë alarmuese.
“Kosovo Liberal Center” bën të ditur se 20 tetori nga OKB-ja njihet si Dita Botërore e Statistikave.
Sipas kësaj organizate, statistikat e punësimit tregojnë gjendjen e mjerueshme të të rinjve në Kosovë. Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 46,4%. Kurse papunësia afatgjate e të rinjve (15-19 vjeç), që kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj, është 39,8%.
Në tremujorin e parë të vitit 2020 30,3% e të papunëve në Kosovë ishin të rinj (të moshës 15-24 vjeç). Shkalla e papunësisë te rinia e gjinisë femërore është më e lartë (53,6%), e krahasuar me meshkujt (42,9%).
Sipas “Kosovo Liberal Center”, statistikat për vitin 2020 pritet të jenë më të larta, duke pasur për bazë krizën që po e shkakton pandemia COVID-19, njofton Indeksonline.
Gjithashtu të rinj joaktivë, të cilët nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën, as nuk trajnohen, janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor, përbëjnë 29,0% të popullsisë së re në vend.
Cila është strategjia e Kosovës për zgjidhjen e problemit të punësimit në vend në kohën e ekonomisë digjitale?
Në të gjithë botën në vitin 2019 vlera e shitjeve online ka qenë 1.53 trilion dollarë. Gjithashtu 1.9 miliard njerëz kanë kryer aktivitete në e-commerce gjatë vitin 2019. Me këtë rritje të qarkullueshmërisë online rritet edhe vlera e marketingut online, shërbimeve online, rrjedhimisht rritet kërkesa e bizneseve që të digjitalizohen plotësisht.
Sipas “Kosovo Liberal Center”, shteti i Kosovës duhet urgjentisht të marrë disa masa:
• Rritja për 100% e vlerës së bursave në drejtimet e shkencave kompjuterike, ndërmarrësisë dhe marketingut digjital;
• Ulja e taksave për shkollat e mesme profesionale, si dhe kolegjet private që e trajtojnë fushën e teknologjisë me prioritet në kurrikulat e tyre;
• Promovimi i edukimit joformal për të rritur konkurueshmërinë e të rinjve në tregun e punës;
• Digjitalizimi i gjithë sistemit;
• Lirimi nga taksat për sipërmarrësit e rinj, që fushëveprimtari e kanë biznesin online, këtë vit shënohet nën moton “Lidhja e botës me të dhënat që mund t’i besojmë”, shërbimet dhe teknologjinë.