“Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”. Kjo deklaratë e mbrëmshme e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinakut ka ngjallur shumë reagime në vend, madje u kërkua edhe arrestimi i tij.
Për më të tepër, mëngjesin e së mëkurës Klinaku ripërseriti deklaratën e tij, pasiqë mediat e cilësuan si “skandaloze” kur teksa po raportonin për deklaratën e tij.
Periskopi ka kontaktuar z Faton Klinaku për ta pyetur edhe njëhërë tjetër nëse me të vërtetë qëndonte prapa kësaj deklarate dhe nëse do t’i frikësohej arrestimit të mundshëm.
Klinaku refuzoi që deklarata e tij të cilësohej “skandaloze”.
“Për mua nuk është skandal se mes Kosovës, Albinit ,Hashimit edhe Ramushit une e zgjedhi Kosovën”, tha Klinaku.
Tytje Klinaku pati edhe një përgjgje për ata që kërkojnë arrestimin e tij, e që tha se ajo që duhet arrestuar është deputetja e VV-së Mimoza Kusari-Lila e cila sipas tij ka ka folur me një kriminel si Milan Radojqiq.
“Po le bre ka pas e s’ka pasë, Prokuroria duhet me arrestu Mimoza Kusarin që ka folë me kriminela”, përfundoi Klinaku.
Kujtojmë se pas deklaratës së Klinakut ka pasur reagime të shumta.
Zëvëndësministri i Infrastrukturës, Avni Zogiani përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se Klinakut i “janë terru sytë”.
“20 milionë euro të rezervave financiare të shtetit qen shpërndarë pa kurrfar kriteri nga Qeveria Haradinaj! Ndër të tjera aty pat marrur edhe organizata e Klinakut! Epo s’ka ma kështu, prandaj i janë terru sytë këtij dhe plotë të tjerëve si ky!”, ka shkruar Zogiani.
Arrestimin e Klinakut e ka kërkuar organizata joqeveritare “Lëvizja për Demokraci”.
Deklarata e kryetarit të OVL UÇK-së, në të cilën ai deklaron “Më parë e vras Albin Kurtin sesa që e lëshoj Kosovën,” është një shembull i papranueshëm i përdorimit të retorikës së ekstremizmit në politikë. Në një kohë kur Kosova ka nevojë për bashkëpunim, dialog dhe për të ndërtuar një të ardhme të qetë dhe të sigurte, kjo lloj retorike nuk kontribuon në asnjë mënyrë pozitive, por nxit urrejtje dhe vrasje në mes vete”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Ndërsa gazetari Vehbi Kajtazi e ka dënuar gjuhën e U.D së kryetarit të OVL-UÇK-së, duke thënë se Prokuroria duhet ta marr në pyetje menjëherë.
“Gjuhe e papranueshme dhe e denueshme. Prokuroria sonte duhet me merret me te! Veteranet duhet te distancohen nga ky qendrim!”, ka shkruar Kajtazi.