Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani nuk e kanë pranuar fajësinë për kanosje ndaj kryeministrit Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
“Për postimin tim konsideroj se nuk ka vepër penale, prandaj nuk e pranoj”, deklaroi Klinaku. Të njëjtën gjë e tha edhe Selmani.
Prokurori i rastit, Bekim Kodrali, para të akuzuarve lexoi aktakuzën, sipas së cilës Klinaku më 29 gusht 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë kryeministrin Albin Kurti, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të detyrës së tij zyrtare, e kishte kanosur publikisht përmes rrjetit social Facebook, duke postuar shkrime kërcënuese.
Me këto veprime, Klinaku akuzohet se publikisht dhe seriozisht e ka kanosur me vrasje Kurtin për shkak të punës së tij si kryeministër i Republikës së Kosovës. Për këtë arsye ai ngarkohet për veprën penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, Klinaku kishte shkruar “as se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai. E sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin se sa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova. Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të.”
Ndërkaq, në pikën dy të aktakuzës, Nuredin Selmani akuzohet se më 30 gusht 2023, në Drenas, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë Kurtin, në cilësinë e tij si kryeministër, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të detyrës zyrtare, e ka kanosur publikisht në Facebook, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga Klinaku.
Sipas prokurorisë, Selmani kishte postuar një fotografi ku ishte montuar fytyra e Kurtit pranë asaj të Klinakut, duke e shoqëruar me këtë mbishkrim “e mbështes Faton Klinakun. Veç ni telefon ma ban Faton, aty m’ki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë.”
Në seancën gjyqësore, Klinaku përsëriti se “për postimin tim konsideroj që nuk ka vepër penale, prandaj nuk e pranoj.”
Edhe Selmani deklaroi se nuk e pranon fajësinë.

