Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka thënë se nuk ka informata të sakta nëse Tomasz Walentek ishte pjesë e UÇK-së.
Tomasz Walentek, i cili raportohet të jetë vrarë gjatë luftimeve Rusi-Ukrainë, është thënë se kishte luftuar edhe gjatë luftës në Kosovë kundër Serbisë, mirëpo një gjë të tillë nuk ka mundur ta konfirmojë Klinaku.
“Jo valla s’kam ni. Ne i kemi veç ata që janë të pajisur me librezë në Kosovë. Ata dy që kanë qenë në zonën e Pashtrikut e di, po…”, ka thënë Klinaku për Gazetën Express.
Megjithatë ai duket të jetë emër i njohur për Klinakun.
“Ky diku ka qenë si emër, por duhet me hulumtu”, tha ai.
Walentek, i cili luftoi në Legjionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ukrainës, raportohet se u vra pak ditë më parë në Donbas. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga organizata MMA në Poloni.
“Me pikëllim të madh morëm informacionin për vdekjen e Tomkës, i cili si vullnetar polak luftoi në Legjionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ukrainës dhe ra atje… Pusho në paqe”, ka shkruar organizata në Twitter.