Ushtruesi i detyrës së kryetarin të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Gjykata Speciale po i shantazhon dëshmitarët e mbrojtur.
Ai e përmendi rastin e Fatmir Humollit, dëshmitarit në rastin e Sali Mustafës, i cili po konsiderohet dëshmitar i Prokurorisë, por që është paraqitur vullnetarisht për të dëshmuar, duke e quajtur këtë si situatë “sui generis”.
“Në seancën gjyqësore në rastin e Sali Mustafës kur e tha që është ftuar nga Prokuroria si dëshmitar i mbrojtjes që ka qenë Fatmir Humolli e kanë marr Prokuroria për dëshmitar të tyre, e konsiderojmë shantazh që u bëhet dëshmitarëve për të dëshmuar diçka apo t’i bëjmë presione sepse kur një dëshmitar është i mbrojtjes nuk ka të drejtë ta merr Prokuroria sepse ai është paraqitur vullnetarisht që të dëshmojë për rastin e Salih Mustafës si dëshmitar i mbrojtjes dhe ai do të duhej të mbetej vetëm dëshmitar i mbrojtjes, por ashtu siç kemi thënë se kjo Gjykatë përveç të tjerave që është politike dhe është Gjykatë e padrejtë që iu ka instalua Kosovës, është edhe një Gjykatë ‘sui generis’ sepse nuk besojë që ka në botë diku që një dëshmitarë i mbrojtjes ta marr edhe Prokuroria”.
“Edhe pse edhe unë mendoj se ashtu siç e tha avokati se përveç Fatmir Humollit do të ketë edhe dëshmitarë të tjerë që i kanë ftuar Prokuroria për t’i bërë dëshmitarë të mbrojtjes dhe kjo gjë me siguri që do të vërtetohet ashtu siç e tha avokati i Sali Mustafës që do të vërtetohet gjatë dëshmive që do t’i japin dëshmitarët e mbrojtjes, që janë pyetur apo janë marr në intervistime që janë marr nga Prokuroria, dhe këtë e konsiderojë shantazh ndaj dëshmitarëve apo presion që mos të dëshmojnë në favor apo për realitetin që ka ndodh gjatë atyre viteve në ngjarjet, apo të mos dëshmojë në favor apo në mbrojtje të Sali Mustafës”.
Po ashtu Klinaku shtoi se Prokuroria ka shantazhuar njerëz, çoftë në UNMIK, në EULEX dhe ka montuar e zhdukur prova, raporton EO.
Ndërsa për mbajtjen në paraburgim të ish-presidentit Hashim Thaçit dhe të tjerëve Klinaku shtoi se kjo është padrejtësi pasi çdo gjykatë në botë në radhë të parë i kryen hetimet e më pastaj vendos për paraburgim.
“Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës e kemi kundërshtuar edhe vet themelimin e kësaj gjykate dhe qëndrimi ynë kryesor ka qenë që nuk kemi pranuar dhe nuk pranojmë që të ketë gjykatë një etnike e cila gjykon vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por duke pas parasysh se ne si OVL qysh prej vitit 2011 qëndrimet tona kanë qenë kundër drejtësisë ndërkombëtare, pseudo drejtësisë sepse kemi konsideruar që drejtësia ndërkombëtare ka shantazhuar njerëz, është fjala për Prokurorinë, çoftë në UNMIK, çoftë në EULEX ka shantazhuar njerëz, ka montuar prova dhe ka zhdukur prova dhe për këtë arsye si organizatë kemi pas atë qëndrim dhe kemi kërkuar gjithmonë që të krijohet një Gjykatë vendore e cila do të ndiqte të gjitha krimet dhe kjo gjykatë nuk është duke i ndjekur krimet, por është duke e ndjekur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjithnjë për interesa të tyre politike”.
“… edhe në kuadër të kësaj vazhdimin e paraburgimit ne e konsiderojmë që ata nuk është dashur fare të paraburgosen sepse absurditeti i kësaj gjykate është sepse ata janë paraburgosur dhe janë aty qe gati një vit e gjysmë dhe ende Prokuroria thotë se janë duke bërë hetime. Ata do të duhej të kryenin njëherë këto hetime pastaj të merren me njerëzit për t’i paraburgosur apo për t’i mbajt në paraburgim për të kryer të gjitha hetimet”.