Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, Faton Klinaku, ka thënë për Ekonomia Online se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të Qeverisë për Ligjin e Pagës Minimale është i gabuar.
Të mërkurën, institucioni më i lartë juridik në vend, i ka dhënë të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për vlerësim.
Me këtë rast, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk është dashur ta marrë një vendim të tillë, pasi sipas tij, ky institucion duhet t’i këtë parasysh shkeljet e vazhdueshme që i ka bërë Qeveria aktuale.
Klinaku ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti në vazhdimësi është kundër interesave të veteranëve, teksa ka bërë thirrje që ta ndëshkojnë me votë.
“Unë e di që vendimi i kësaj gjykatës është përfundimtar, por unë mendoj që nuk është dashtë të marrë kësi vendimi. E di që qeveria e ka të drejtën me ndryshu ligje, por ta ndryshosh, ta bësh një ligj për t’i shkatërruar 5-6 ligje të tjera natyrisht që është një veprim i keq që e bën Qeveria e Kosovës. Në këtë rast Gjykata Kushtetuese duhet të ketë parasysh që nuk duhet t’i japë të drejtë një qeverie, e cila kur e ka shumicën mund ta keqpërdor. Çka do bënte Gjykata Kushtetuese nëse kjo qeveri e heq edhe pavarësinë e Kosovës, e ka shumicën e qet në Kuvend e miraton dhe pastaj Gjykata Kushtetuese t’i thotë ka të drejtë? Duhet ta ketë parasysh shkeljet e vazhdueshme që i ka bë kjo Qeveri ndaj këtyre shtresave qoftë veteranët e luftës, të verbërit… Natyrisht që i ka shkatërruar i ka heq disa ligje dhe e ka bë një ligj që faktikisht Gjykata Kushtetuese nuk e di a e ka shikuar se në ligji te veteranët e luftës janë dy ligje, njëri është në fuqi që i ka lidh me pagë minimale dhe tjera është me kategorizim”.
“Kjo qeveri vazhdimisht ne e kemi parë që është duke punuar kundër interesave të veteranëve, jo vetëm kundër veteranëve por është kundër shumë shtresave të shoqërisë. Në këtë rast ju bëj thirrje veteranëve të luftës që duke pasur parasysh që po e shohin që kanë punuar kundër tyre natyrisht që ajo që do të bëjnë duhet të mos jepni votë këtij pushteti. Natyrisht se nëse e merr edhe një herë besimin e qytetarëve të Kosovës sidomos nëse e merr edhe besimin e veteraneve të luftës ata vazhdimisht do të punojnë kundër tyre”, ka thënë ai.
Klinaku ka shtuar se shumë shpejt pritet që të mblidhet organet e tyre drejtuese që të vendosin për format dhe kohën e protestës për ta kundërshtuar këtë vendim.
“Sa i përket qëndrimeve tona ne vazhdojmë që të mbesim prapa qëndrimeve që ne do të bëjmë protesta për shkaka se e kemi pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese deri sa ta përfundoj dhe me qenë së e ka kthyer ne me organet tona drejtuese do të mblidhemi dhe do të shqyrtojmë edhe për format dhe kohën e proteste do të njoftohet opinionin me kohë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se paga prej 170 eurove që marrin veteranët në këtë kohë është e pa mjaftueshme që të ju përgjigjet nevojave të tyre.
“Edhe në kohën kur është filluar marrja e këtyre beneficionecve me 170 euro ka qenë e pa përballueshëm për ta sepse ata kanë nevoja të tjera qoftë shëndetësor qoftë të tjera, 170 euro nuk janë asgjë. Duke marr për bazë edhe inflacioni që ka qenë i madh në Kosovë, natyrisht që ai 170 euro tash se di a ka mbetur 70 euro, me 70 euro llogariten se çka mund të bëjnë një njeri. Edhe në këtë rast janë ligjet që kanë qenë në furi edhe janë në fuqi, që edhe në kohen e inflacionit tre vjeçar sa ka qenë veteranët e luftës nuk kanë përfituar rritje të pensioneve apo beneficioneve dhe prandaj ka mijëra veteran edhe pensionist të tjerë që kanë paditur qeverinë për shkak të kësaj”, ka thënë ai.
Sipas publikimit të mërkurën, Kushtetuesja ka vendosur që ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.
Ligji i ri i Pagës minimale nuk i përfshin veteranët. Deri tash pensioni i tyre lidhej me pagën minimale që ishte 170 euro. Tash, ajo është rritur në 264 euro, por vetëm për punëtorët.