Qese të verdha plot me placenta kanë mbushur pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Për shkak të mbingarkesës, dyert e të pesë frigoriferëve nuk mbyllen dot dhe tash ka nisur shkrirja e tyre.
Placentat janë mbetje patologjike nga lindjet dhe abortet.
Tre nga këta frigoriferë gjenden në afërsi të sallës së lindjes, në katin e tretë të Klinikës, kurse dy të tjerë, në deponë e katit të parë.
Rrezik për shëndetin paraqesin posaçërisht tre frigoriferët në katin e tretë. Salla e lindjes është vendi ku rreth 700 fëmijë në muaj vijnë në jetë.
Pesha mesatare e një placente sillet rreth 500 gramë.
“Ne brenda muajit i kemi 500 kilogramë ind placentar, kështu që ato duhet të largohen. Ne nuk kemi ku t’i lëmë. Frigoriferi nuk është zgjidhje. Ato duhet të eliminohen, të asgjësohen ashtu siç i ka hije një indi trupor”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Jakup Ismaili, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë.
“Janë disa frigoriferë të mbushur, ata kur nuk janë të mbyllur nuk ngrihen, kundërmojnë, është gjaku, era e rëndë… Distanca nga salla e lindjes është 10-15 metra, kështu që bëj apel që sa më shpejt ata që janë kompetentë të organizojnë largimin e këtyre mbetjeve”, shtoi Ismaili.
Sipas Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), largimin e tyre e bën një kompani private e cila duhet të kontraktohet nga ky institucion. Megjithatë, QKUK-ja tha se për të kontraktuar një kompani për një shërbim të tillë, duhet fillimisht që Komuna e Prishtinës të caktojë një lokacion se ku duhet të groposen këto mbetje.
Ismaili tha se ky problem ekziston që dy vjet dhe se Komunës së Prishtinës i është bërë kërkesë disa herë për ndarjen e një lokacioni.
“Nëse vazhdon një neglizhencë e organeve kompetente, ne duhet ta mbyllim klinikën apo të falimentojmë. Nuk e di çka do të bëjmë”, tha drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili.
Sipas Ligjit për mbeturina dhe Udhëzimit administrativ për menaxhimin e mbeturinave medicinale-patologjike, mbeturina patologjike mblidhen, ruhen dhe trajtohen duke i groposur/varrosur ne vendin e caktuar. Gjatë kësaj procedure, duhet të shtohet edhe material për dezinfektimin e tyre.
Sipas po të njëjtit udhëzim, mbeturina patologjike të vendosura në paketime duhet të ruhen në objektet spitalore me mbyllje hermetike në temperaturë jo më shumë se 8 gradë, dhe nuk duhet të qëndrojnë më shumë se pesë ditë. Në ngrirje të thellë mund qëndrojnë maksimum një vit deri në trajtimin e tyre, kurse vendi i ruajtjes duhet të jetë i mirëmbajtur dhe i dezinfektuar.
Duke u bazuar në këto dispozita ligjore e administrative, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), Valbon Krasniqi, në dhjetor të vitit 2020 kërkoi nga Komuna e Prishtinës që të jepte në shfrytëzim një pronë për groposjen e mbetjeve patologjike sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së komunës për rastet e veçanta.
Në një komunikim përmes adresës elektronike të datës 15 qershor 2021, të cilin REL-i e ka parë, zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë përmendur se hapësira në fshatin Vranidoll, 15 kilometra nga Prishtina, do të jetë e destinuar për këtë qëllim. Aty shtohet se kryetari i komunës me vendimin e tij do ta lejojë shfrytëzimin e hapësirës në Vranidoll për groposjen e mbetjeve patologjike. Në QKUK thanë se një vendim i tillë ende nuk është marrë.
Komuna e Prishtinës: Banorët e Vranidollit po kundërshtojnë groposjen e mbetjeve patologjike
Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se banorët e fshatit Vranidoll po kundërshtojnë që aty të groposen mbetjet patologjike nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Nga komuna thanë se Drejtoria e Pronës në bashkëpunim me Drejtorinë e Planifikimit, e kanë caktuar parcelën në fshatin Vranidoll, si vend i përhershëm për groposjen e mbetjeve patologjike, larg vendbanimit të qytetarëve. Mirëpo, shtohet se te kryesuesi i Kuvendit Komunal është dorëzuar një peticion nga banorët e Vranidollit për të mos lejuar groposjen e mbetjeve patologjike.
“Proceduralisht duhet të nënshkruhet vendimi fillimisht nga ana e kryetarit të Komunës dhe pastaj të dalë në Kuvend për miratim, e ku do të trajtohet edhe peticioni i banorëve. Prandaj, varësisht nga votat në Kuvend do të vendoset për këtë lokacion, ose do të vazhdohet me groposjen te varrezat e qytetit”, thuhet në përgjigje.
Por, në një e-mail që më 15 qershor 2021, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi i kishte dërguar zyrtarëve të SHSKUK-së, thuhej se për ndarjen e këtij lokacioni nuk kërkohet që të vendosë Kuvendi Komunal, por vetëm kryetari i Komunës.
Komuna e Prishtinës sqaron se deri më tani këto mbetje patologjike janë groposur në bashkëpunim me ndërmarrjen “Hortikultura”, në varrezat e qytetit të Prishtinës, në një parcelë të posaçme.
E Ilmije Havolli-Lushaku, infermieria kryesore në sallën e lindjeve në Gjinekologji, tha se shkrirja e mbetjeve në frigoriferë paraqet problem të madh për stafin, pacientët dhe fëmijët e porsalindur.
“Këta muajt e fundit kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha me të cilat jemi të rrezikuar drejtpërdrejtë ne personeli, pacientët, të porsalindurit dhe punëtorët e mirëmbajtjes. Unë mendoj se është momenti i fundit kur duhet të ndërmerret diçka, derisa nuk është bërë ose nuk është përhapur ndonjë infeksion tjetër. Ne e dimë sesi e kemi situatën në shëndetësi, tash kur jemi me pandemi”, tha ajo.
“Do ta kemi problem edhe bartjen nëse vjen momenti që t’i bartim. Si do t’i largojmë pasi ato janë të shkrira? Unë e rrezikoj të gjithë hapësirën ku kaloj teksa i bart ato (placentat)”, shtoi Havolli-Lushaku.
Shqetësimi është që gjatë bartjes se placentave ka rrezik që infeksionet e ndryshme mund të përhapen përtej dhomave të klinikës.
Vitet e kaluara, largimi i placentave dhe mbetjeve të tjera nga QKUK-ja është bërë nga ndërmarrja publike “Hortikultura”. Kjo ndërmarrje kujdeset për ngritjen, rregullimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara publike në territorin e qytetit të Prishtinës.
Ndërkohë, QKUK-ja tha se i ka kryer të gjitha procedurat e prokurimit për kontraktimin e shërbimeve për groposjen e mbetjeve patologjike, por nënshkrimi i kontratës me atë kompani është në pritje të caktimit të një lokacioni.
“Rrezikohemi që të bëhet anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit dhe me këtë do të ballafaqohemi me vështirësi të papërballueshme, për faktin se këto mbetje infektuese nuk do të mund të trajtohen dhe si rezultat i kësaj do të vije deri te paraqitja e infeksioneve të pakontrollueshme me rrezikshmëri në përmasa të mëdha”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e fundit drejtuar Komunës së Prishtinës më 14 shtator 2021 nga Havushe Rexhepi, u.d. drejtoreshë e shërbimeve teknike-administrative të SHSKUK-së. Kjo kërkesë i është dërguar komunës përmes drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Me problemet e ngjashme për groposjen e mbetjeve patologjike, përveç Klinikës së Gjinekologjisë, përballet edhe Instituti i Patologjisë ku ka mbetje indore që përfshijnë pjesët e amputuara të trupit të njeriut dhe organe tjera të larguara me intervenime kirurgjike.
Brenda një viti, sipas QKUK-së, në këto dy institucione mblidhen rreth 30 tonë placenta dhe mbetje indore.