Në Klinikën Infektive të QKUK-së mëngjesin e së mërkurës nuk kishte asnjë shtrat të lirë. Klinika është stërmbushur me pacientë të infektuar me Covid-19, ka konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online, doktoresha Vera Berisha-Ndrejaj.
Ajo ka sqaruar se në këtë klinikë janë duke u trajtuar 120 pacientë prej tyre 105 janë me oksigjenoterapi. Tutje, ajo tha se gjendja është e rëndë dhe të gjitha kapacitet janë të stërmbushura.
“Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 120 pacientë prej tyre 105 janë me oksigjenoterapi, dy janë në respirator. Gjendja momentale në klinikë është e rëndë. Kemi shumë pacientë, kapacitete janë të stërmbushura, rastet janë të rënda. Në vazhdimësi kemi pranime të reja dhe raste të shumta në ambulancën e pranimit të cilët frekuentojnë klinikën infektive qoftë për kontroll qoftë për spitalizim”.
Berisha-Ndrejaj mes tjerash, theksoi se edhe Mjekësia Sportive është pothuajse e mbushur me pacientë, raporton EO.
“Në Klinikën Infektive tani për tani nuk kemi vende të lira. Gjatë ditë s’presim lirimin e disa pacientëve dhe mund të pranojmë ndoshta disa prej tyre në vendet që lirohen. Ndërkohë që edhe mjekësia sportive është pothuajse me kapacitete të mbushura”.
“Ndërkohë kemi të haur edhe Klinikën e Endokrinologjisë ku edhe aty është një numër i madh i pacientëve. Tash për tash pothuajse të gjitha kapacitete janë të mbushura”.
“Besoj që veç jemi në valën e tretë dhe Covidi nuk po ndalet po flasin numrat vazhdimisht që janë në rritje, por tashmë kemi edhe raste mjaft të rënda që kërkojnë spitalizim”.