Kanë kaluar dy vjet nga disfata e Wladimir Klitschkos ndaj Anthony Joshuas. Ukrainasi i ka ngacmuar tifozët e tij, duke sugjeruar se do t’i karrierës si boksier edhe një herë tjetër.
Në prill të vitit 2017, ish-kampioni i peshave të rënda në boks, Wladimir Klitschko, pësoi disfatë në rundin e 11-të në meçin kundër britanikut Anthony Joshua, në stadiumin “Wembley”.
Pasi u rrëzua në tokë në rundin e pestë të meçit, Klitschko u ngrit në këmbë dhe e ndryshoi rrjedhën e lojës duke e rrëzuar Anthony Joshuan në rundin tjetër.
Megjithatë, kur meçi ishte afër fundit, britaniku e goditi dy herë radhazi ukrainasin, i cili nuk arriti ta vazhdojë meçin pas asaj goditjeje.
Përkundër që kishte qenë shumë afër për ta pranuar ofertën për një rimeç, Klitschko u pensionua nga boksi pas meçit. Disfata kundër Joshuas ishte meçi i tij i fundit në karrierën mbresëlënëse… ose të paktën kështu dukej.
Dy vjet pas atij meçi, Klitschko postoi në rrjetet sociale: “Edhe pse nuk e fitova titullin më 29 prill të vitit 2017, për mua, ajo ishte njëra prej ditëve më të mirë në karrierën time të boksit (deri më tani)”.
“Faleminderit Anthony Joshua që ishte kundërshtari i përsosur dhe pjesë e fiksimit tim për t’u bërë kampon sërish”.
Përdorimi i fjalëve “deri më tani” në mesazhin e 43-vjeçarit lë të kuptohet se ai po planifikon t’i kthehet karrierës si boksier.