KLMDNJ përmes një komunikate për media ka reaguar për rastin e vendosjes së shenjës për ndalesën e mbulesës në objektin e shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë.
“Shenja e parë në këtë mozaik ishte mbulesa apo shamia që e përdorin besimtarët e besimit islam. Kjo vendosje e shenjave, përkatësisht e shamisë nxiti shumë reagime në opinion me ç’rast nuk u kursyen as fjalët më të rënda: Drejtoresha e shkollës, znj. Florentina Gjergjaj tha se vetëm po e zbaton Udhëzimin Administrativ të MASHT-ë 06/2014 dhe se ndjehet e kërcënuar nga deputetja, znj. Duda Balje që këtë veprim të shkollës e cilësoi si fyerje ndaj femrës që bartë shami dhe cënim të të drejtave dhe lirive fetare duke e akuzuar drejtoreshën se nuk ka bazë ligjore për këtë veprim diskriminues”.
Gjithashtu kërkohet që të rregullohet udhëzimi administraiv për bartjen e shamisë.
“Bartja e shamisë pati nxitur shumë debate sidomos viteve të fundit dhe KMDLNj -ë ka kërkuar të rregullohet specifikisht me ligj kjo çështje ndërkaq konsideron se vajzave dhe femrave që kanë bartur shami iu janë shkelur të drejtat e njeriut, si në shkollë ashtu edhe gjatë konkurimit për një vend pune ku përcaktuese për mospranim nuk ka qenë mospërgatitja profesionale por bartja e shamisë ndonëse në vendim për refuzim nuk thuhet ashtu”.
KLMDNJ kërkon nga Drejtoria e Arsimit në Gjakovë ta largojë shenjën diskriminuese dhe ti kërkoj falje besimtarëve.
“KMDLNj -ë kërkon nga DKA në Gjakovë menjëherë ta largojë atë shenjë diskriminuese nga shkolla në fjalë, të kërkojë falje publike besimtarëve që janë ndier me të drejtë të fyer sikur që të kursehen nga fjalët e rënda ofenduese që nuk janë në përputhje as me doktrinën fetare e as asaj morale dhe të vazhdohet të forcohet besimi, durimi dhe toleranca ndërfetare në Gjakovë që ka qenë shembull i mirë edhe për komunat e tjera në Kosovë ku kanë bashkëjetuar komunitetet dhe besimet e ndryshme fetare në një mjedis mirëkuptimi”.
“KMDLNj-ë kërkon që kjo çështje të rregullohet me Ligj të veçantë, e jo të mbetet peng i një Udhëzim Administrativ i vitit 2014”.