KLMDNJ, ka reaguar pasi Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi është deklaruar se i ka bërë të gjitha pregatitjet për mbajtjen e një refrendumi në Kosovë për ndryshimet kushtetuese në Serbi por se po pengohet nga Qeveria e Kosovës përkatësisht nga Kryeministri Albin Kurti .
Tutje KLMDNJ ka thënë se më të zëshmit për mbajtje të këtij referendumi të Serbisë në Kosovë janë Joseph Borrell , përfaqësues i BE-së për politikë të jashtme dhe në të njëjtën kohë edhe zëdhënës i Aleksandar Vuçiqit brenda BE –së si dhe Velko Odalloviq , aktualisht sekretar i Kuvendit të Serbisë dhe njëri ndër ideologët për krime lufte në Kosovë në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Se Velko Odalloviq është agresiv në propagandën e tij kundër Kosovës dhe qeverisë së Kosovës edhe mund të kuptohet për faktin se tërë kohën ka qenë në shërbim të krimit në Kosovë , që nga koha e Sllobodan Millosheviqit e deri në kohën e Aleksandar Vuçiqit , i konvertuar nga kriminel lufte në kriminel të paqes. Po halli është te Joseph Borrell që , përveç se është përfaqësues i BE –së për politikë të jashtme , në të njëjtën kohë është edhe “ lehtësues “ në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe i cili shquhet për anim permanent në favor të Serbisë”.
“Për faktin se BE –e asnjëherë nuk ishte distancuar nga qëndrimet anuese të Borrellit lehtësisht mund të kuptohet se qëndrimi i Borrellit është edhe qëndrim i BE –së aq më parë që kanë qëndrim mohues ( neutral ) ndaj statusit politik të Kosovës duke e mohuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”
KLMDNJ ka thënë se nuk ka çështje më të pamoralshme se që është kushtëzimi i Borrell-it për lejim të mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshime kushtetuese në Serbi në kohën kur mbajtja e referendumit në Kosovë edhe për një çështje minore siç është tredhja e qenve është pamundësuar edhe me vet Kushtetutën e Kosovës e që ishte imponuar nga borrellët para këtij Borrelli , zëdhënësit të Aleksandar Vuçiqit. Borrell-it , mund t’i mos pëlqejë dhe sigurisht nuk i pëlqen fakti se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran mirëpo duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe vullnetin e më shumë se 100 shteteve që e kanë pranuar Kosovën , shtet të pavarur dhe sovran.
“KMDLNj –ë nuk e ka të qartë apo e ka shumë të qartë rolin e Borrell-it si lehtësues në bisedime për normalizimin e marëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë duke e vlerësuar kredibilitetin e tij me notën zero. Mbajtja apo lejimi për mbajtje të një referendumi të Serbisë në Kosovë ndërlidhet me sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës prandaj qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë dhunimin e këtij sovraniteti që ia garanton edhe e drejta ndërkombëtare sikur që e detyron edhe Kushtetuta e Kosovës të mos lejojë këtë referendum. Ndërkaq , sa i përket deklaratës së kriminelit të luftës , Velko Odalloviq se : “ Kurti nuk po lejon mbajtjen e referendumit në tokat e Serbisë ( në Kosovë ) , është lehtësisht e zgjidhshme ; le të vijë Odalloviqi në Kosovë dhe të organizojë mbajtjen e referendumit .. “ Nuk ka nevojë të ankohet te Borrelli”
KMDLNj ka ftuar të gjitha subjektet politike opozitare dhe shoqërinë civile të përkrahin kundërshtimin e qeverisë së Kosovës për mbajtje të referendumit të Serbisë në Kosovë , si shprehje të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës dhe detyrim ndaj respektimit të Kushtetutës së Kosovës .
“Velko Odalloviq po e luan një lojë të ndyrë në përpjekje për ta përçarë skenën politike të Kosovës duke e bërë një prerje midis qeverive të mëparshme dhe qeverisë aktuale përkatësisht duke e satanizuar kryeministrin Albin Kurti e që kjo nuk duhet të lejohet. Bindjet dhe ndasitë politike duhet të lihen anash kur ësht në pyetje interesi i përgjithshëm dhe i përbashkët për Kosovën. Qeveria e Kosovës nuk mund të kushtëzojë se kush do të jetë përfaqësues i BE –së në bisedime midis Kosovës dhe Serbisë por duhet të reagojë në çdo veprim anues të Borrell-it dhe Lajçakut duke mos bashkëpunuar për jetësimin e propozimeve të tyre e që janë nga pozicionet puro serbe”.
“KMDLNj –ë kërkon që ky cilësim diskriminues (diskriminimi pozitiv) të hiqet nga përdorimi për t’i lënë vend zbatimit të të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare që rregullojnë të drejtat e njeriut , pa bërë asnjë diskriminim”.