Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka kritikuar Anglinë për mënyrën sesi i është qasur krizës së koronavirusit, duke thënë se ndihet si i huaj në këtë vend për shkak se vazhdon ta marrë seriozisht këtë sëmundje duke ndërmarrë masa mbrojtëse.
Megjithëse e kishte parë sesa fort e kishte goditur kjo pandemi Italinë dhe Spanjën, Britania e Madhe nuk u përgatit me kohë për virusin dhe si pasojë deri tani i ka mbi 300 mijë raste të konfirmuara dhe 42 mijë persona të vdekur, transmeton Gazeta Express.
Kur virusi e arrit kulmin, u druajt se sezoni në Premierligë do të anulohej plotësisht dhe do të shpallej i pavlefshëm dhe Klopp e ka pranuar se ishte i vetëdijshëm se një gjë e tillë mund të ndodhte.
Por pavarësisht shqetësimeve sportive, Klopp ka nënvizuar se përqendrimi i tij i vërtetë ka mbetur në çështjet jashtë fushës së lojës, derisa i theksoi dallimet e madhe në mënyrën sesi Gjermania dhe Anglia janë marrë me koronavirusin.
“Për asnjë moment nuk kam shqetësuar se qeveria ka mundur të na kushtonte me titull, sepse kam qenë i brengosur për numrin e njerëzve që po vdisnin dhe ende brengosem”, tha Klopp.
“Unë nuk kam votuar për këtë qeveri. Kjo qeveri ishte zgjedhje e njerëzve tjerë. Dhe problemi që unë e kisha ishte lajmet që i merrja nga Anglia dhe Gjermania. Nëse jashtëtokësorët do të na shikonin nga lart, do të mendonin se Gjermania dhe Anglia vijnë nga dy planetë të ndryshëm”, shtoi ai.
“Unë nuk e kuptoj pse ne filluam të vendosim maska në zona të mbyllura nga 15 qershori, kur të gjitha vendet e botës kishin filluar ta bënin këtë para gjashtë javësh. Nëse dëshiron të futesh në një dyqan në Gjermani, por nuk ke maskë, atëherë nuk lejohesh. Me maskë në fytyrë, mund të shkosh në cilindo dyqan. Mund të shkosh të berberi, ku të duash. Kur shkoj në një pikë karburanti në Angli, jam personi i vetëm me maskë në fytyrë dhe personi i vetëm me doreza. Ndihem si një i huaj. Nuk do të ndaloj deri të më thotë dikush se nuk ka virus më”, nënvizoi ai.