Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka paralajmëruar lojtarët e tij se duhet të jenë të gatshëm t’i modifikojnë planet e tyre për pushimet verore në bazë të ndryshimeve në situatën me koronavirus.
Kampioni i Premierligës është zyrtarisht në pushim pasi sezoni 2019/20 përfundoi për ta të dielën, pasi që Reds janë eliminuar nga Liga e Kampionëve, që rinis në muajin gusht, transmeton Gazeta Express.
Klopp tha se lojtarët e tij do të lejohen të shkojnë në pushime verore, përkundër krizës së sjellë nga koronavirusi dhe rrezikut për infektim, për aq kohë sa klubi u jep leje për destinacionin e tyre.
Por, trajneri gjerman insiston se secili individ do të jetë përgjegjës vetë të qëndrojë i informuar për situatën lidhur me virusin Covid-19 dhe t’i modifikojë planet në rast se një gjë do të jetë e nevojshme.
“Që të jem i sinqertë, kjo është një bisedë pa zgjidhje. Djemtë mund të shkojnë në pushime, natyrisht, dhe e dimë se ku do të shkojnë secili prej tyre. Gjithçka është në rregull – ato vende janë në rregull”, ka thënë Klopp.
“Por, situata mund të ndryshojë, vazhdimisht, kështu që tani kjo është përgjegjësia e djemve. Ata duhet të sigurohet se e dinë kur duhet të largohen nga një vend specifik. Ata duhet t’i ndjekin lajmet dhe të reagojnë menjëherë”.
“Nuk është puna jonë të themi: “Ndoshta Spanja do t’i mbyllë kufijtë sërish” ose diçka të tillë. Djemtë e kanë këtë përgjegjësi dhe këtë e dinë edhe ata vetë”.
“Ne do të bëjmë sa më shumë që të mundemi për t’u ndihmuar atyre, mirëpo ata duhet të jenë të vetëdijshëm për situatën. Asnjëri prej nesh s’mund të shkojë në pushime dhe t’i bëjë gjërat që i bënte më parë”.