Trajneri Juergen Klopp ka thënë se Liverpooli nuk do t’i lirojë lojtarët për detyrat ndërkombëtare këtë muaj nëse klubit i kërkohet që t’i karantinojë për dhjetë ditë pas kthimit, ka shkruar “The Guardian” të mërkurën.
Nën kufizimet e qeverisë britanike, Liverpooli do t’i humbasë disa lojtarë me ndikim për dhjetë ditë pas pushimit të ardhshëm ndërkombëtar. Brazilianët Alisson Becker, Fabinho e Roberto Firmino, si dhe portugezi Diogo Jota, do të luajnë ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” në vendet që gjenden në listën e kuqe të udhëtimit të Britanisë së Madhe – Brazil, Kolumbi e Portugali – dhe do të duhet që pas kthimit të karantinohen në një hotel të miratuar nga qeveria për dhjetë ditë.
Sadio Mane dhe Naby Keeta, gjithashtu, mund të preken nga karantimi për shkak të grumbullimit me Senegelin e Guinenë për përballjet me Eswatinin e Nambinë, dy vende të tjera në listën e kuqe. Disa trajnerë të ekipeve nga Premier League tashmë kanë bërë thirrje për mënjanimin e rregullave të karantinës dhe Klopp insiston se nëse nuk ndryshon rregulli i udhëtimit, atëherë kontingjenti i futbollistëve të Liverpoolit do të mbetet në Angli dhe se për ta bërë këtë do ta ketë edhe mbështetjen e FIFA-s. Pra, Klopp është i vendosur për të mos liruar lojtarët e tij që të bashkohen me përfaqësueset e tyre për shkak të karantinimit. Kërcënimi në rritje i moslëshimit të lojtarëve me qendër në Evropë ka bërë që Konfederata e Futbollit në Amerikën e Jugut (CONMEBOL) ta shqyrtojë shtyrjen e këtij raundi të kualifikimeve. Udhëheqësit e CONMEBOL-it do ta zhvillojnë një takim virtual për të diskutuar këtë çështje me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantinon, të enjten.
“Unë mendoj se FIFA ishte disi e qartë se ne nuk duhet t’i lëmë lojtarët të shkojnë këtë herë dhe unë mendoj se të gjitha klubet bien dakord që me të njëjtat probleme nuk mund t’i lejojnë ata të shkojnë dhe pastaj kur të kthehen të karantinohen për dhjetë ditë në një hotel. Thjesht nuk është e mundur. Duhet kuptuar se kjo është një kohë kur ne nuk mund t’i bëjmë të gjithë të lumtur dhe ne duhet të pranojmë që lojtarët paguhen nga klubet, kështu që kjo do të thotë se ne kemi përparësi”, është shprehur Klopp. “Ne nuk jemi 100 për qind të sigurt për situatën pasi asgjë nuk është e qartë në disa vende. E gjithë situata është e ngjashme me Ligën e Kampionëve për sa i përket vendit ku do të luhen ndeshjet dhe lojtarët duhet të presin deri në sekondën e fundit sepse njerëzit kanë nevojë për kohë për të marrë vendime në lidhje me ndryshimin e destinacionit të ndeshjes”.
Klopp, i cili pret të ketë portierin Alisson dhe mesfushorin Fabinho në dispozicion për ndeshjen e së enjtes në Premier League kundër Chelseat, ka frikë nga një shpërthim i COVID-19 brenda flluskës së Liverpoolit nëse lojtarët do të shpërndahen në detyrat ndërkombëtare. Lojtarët e tij do ta humbnin ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve nëse do të duhet të futen në karantinë pas kthimit nga ndeshjet me përfaqësueset. Liverpooli ende nuk është kualifikuar në çerekfinale të kësaj gare, pasi duhet ta luajë edhe ndeshjen e dytë kundër Leipzigut. Në duelin e parë, të luajtur në Budapest, Liverpooli triumfoi me rezultatin 2:0 dhe ndeshja e kthimit, që luhet javën e ardhshme, pritet të luhet sërish në Hungari. Klopp tha se është në pritje të konfirmimit se ku do të luhet ndeshja e kthimit kundër ekipit gjerman.
“E para dhe më e rëndësishmja është se ne jemi të shqetësuar për të gjitha gjërat nga pikëpamja e virusit. Në muajt e fundit, kur dikush duhej ta linte flluskën e klubit, ne nuk ishim pa raste por nuk u përhap kurrë. Por kishte dy periudha, pushimi i fundit ndërkombëtar kur dolën më shumë raste sesa më parë dhe periudha e Krishtlindjes, në të cilën ne të gjithë ishim përfshirë dhe ishte një sfidë për të gjithë shoqërinë”, shtoi Klopp. “Anglia po shkon në drejtimin e duhur dhe duket premtuese, por ne jemi të shqetësuar për këto gjëra. Anglia po ecën vërtet mirë për momentin dhe mendoj se jemi në listën e kuqe për disa vende të tjera. Nuk është e lehtë për ne të udhëtojmë nga Anglia. Të kesh më shumë informacion do të ishte mirë dhe jemi në pritje”.
Liverpooli aktualisht zë vendin e gjashtë në kampionatin anglez, me 43 pikë të tubuara dhe një ndeshje më pak të luajtur se Manchester City që prin në tabelë me 65 pikë pas 27 dueleve të luajtura.