Jurgen Klopp e ka shikuar anën e ndritshme të disfatës së parë të Liverpoolit në 44 ndeshje në Premierligë dhe shpreson se, tani kur skuadra e tij nuk është më nën presion për ta mbyllur sezonin si e pamposhtur, ajo do të mundë të luajë futboll lirshëm.
Liverpooli e vizitoi stadiumin Vicarage Road të shtunën pasi i kishte fituar 18 ndeshje radhazi në ligë, vetëm një fitore larg rekordit të ri, ndërsa ishte pa humbje në 44 ndeshje radhazi.
Por Watfordi bëri një paraqitje të mrekullueshme për t’i tronditur të kuqtë, me Ismaila Sarr që i shënoi dy gola dhe një asist për Troy Deeney.
Kjo humbje nuk ka gjasa të ketë ndikim në përpjekjet e Liverpoolit për ta fituar titullin në ligë këtë sezon, pasi skuadra e Kloppit vazhdon të prijë me 22 pikë, por nënkupton se ajo nuk do të jetë në gjendje të bëhet skuadra e dytë që e mbyll sezonin në Premierligë pa asnjë humbje.
Sidoqoftë, Klopp ndien se ky skenar mund, në fakt, t’i leverdisë Liverpoolit.
“Ne do ta humbnim një ndeshje dokurdo. Ne nuk e prisnim por ka qenë e qartë se do të ndodhte”, tha Klopp.
“Ndodhi sonte dhe unë e shoh si pozitiv faktin që iu kemi afruar këtyre rekordeve. Tani ne mund të luajmë futboll lirshëm përsëri dhe nuk kemi pse të përpiqemi për të arritur rekord. Tani vetëm do të përpiqemi t’i fitojmë ndeshjet dhe këtë do ta bëjmë”, shtoi ai.