Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka pranuar se do të ishte e pakuptimtë që ai t’u bërtiste e t’i kritikonte lojtarët e tij vetëm sa për t’u ndierë më mirë për veten pasi e humbën rekordin si të pamposhtur në Premierligë kundër Watfordit.
Humbja befasuese me rezultat 3:0 në Vicarage Road i dha fund ecurisë prej 44 ndeshjeve pa disfatë në ligën elitare të futbollit në Angli për Liverpoolin, që gjithashtu dështoi në tentimin për ta thyer rekordin në histori të Premierligës duke e marrë fitoren e 19-të radhazi, transmeton Gazeta Express.
Por, në vend se t’i kritikojë lojtarët e tij pas paraqitjes së tyre më të dobët në vitin e fundit, Klopp vetëm u tregoi atyre se ku kishin gabuar, pasi e kishte rishikuar ndeshjen sapo ishte kthyer në shtëpi të shtunën.
Klopp thotë se ai e vlerëson punën që lojtarët e tij e kanë bërë gjatë gjithë sezonit dhe se ai do të ishte idiot nëse do ta fillonte ta dyshonte karakterin e lojtarëve të tij dhe të mos u besonte atyre më.
“Mund të ndodhë që unë të zemërohem me lojtarët, por kjo gjë nuk ndodhi në këtë takim”, ka thënë Klopp.
“Në aspektin logjik, nëse unë shkoj në një takim dhe u bërtas atyre sikur t’i kishin humbur dhjetë ndeshje radhazi për shkak të sjelljes së keqe, atëherë kjo do të ishte shumë e çuditshme”.
“Unë nuk jam i interesuar që pas ndeshjes të ndihem më mirë. Unë jam i interesuar që djemtë t’i marrin informatat e duhura dhe kjo mund të jetë më emocionale – s’do ta përdorja fjalën “i zemëruar” – ose më pak emocional”.
“Nëse ti ke nevojë ta analizosh ndeshjen, atëherë analizoje dhe analiza nuk është me të vërtetë emocionale. Ti thjesht i shikon faktet dhe e verën që ne nuk ishim mjaftueshëm të mirë. Kjo është përgjigja e lehtë”.